22.11.2014 Views

EPOKA E GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT ... - Famulliabinqes

EPOKA E GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT ... - Famulliabinqes

EPOKA E GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT ... - Famulliabinqes

SHOW MORE
SHOW LESS

You also want an ePaper? Increase the reach of your titles

YUMPU automatically turns print PDFs into web optimized ePapers that Google loves.

EPOKA E GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT

SULMET E PARA OSMANE DHE QËNDRESA E SHQIPTARËVE

Pushtimet e para osmane në Europë

Në shek. XI turqit erdhën nga Azia Qendrore në Anadollin e sotëm dhe në fillim të shek. XIV ata

formuan një principatë të pavarur, Emiratin osman, që mori emrin e themeluesit të saj, Osman beut (1282

- 1336). Pasi përfunduan pushtimin e Azisë së Vogël, ushtritë e sulltan Orhanit kaluan më 1354

Dardanelet dhe filluan pushtimin e Ballkanit, i cili politikisht ishte i copëzuar në një numër të madh

principatash e shtetesh të pavarura. Turqit i zgjeruan shpejt pushtimet në Ballkan dhe më 1365 e

zhvendosën kryeqytetin e tyre nga Brusa, në Adrianopojë, të cilën e quajtën Edrene.Të tronditur nga

pushtimet e shpejta osmane,disa nga sundimtarët ballkanas krijuan një koalicion ushtarak antiosman, në të

cilin mori pjesë edhe despoti i Vlorës, Aleksandri. Por në betejën që u zhvillua me forcat osmane më

1371 në brigjet e lumit Marica, ushtritë e koalicionit ballkanik u shpartalluan. Pas kësaj fitoreje, ushtritë

osmane pushtuan lehtësisht qytete dhe qendra administrative me rëndësi të veçantë strategjike për të

gjithë Ballkanin, si Nishin, Shkupin, Manastirin, Kosturin etj., të cilat i shndërruan në baza të fuqishme

ushtarake për pushtimin e viseve të tjera shqiptare e ballkanike. Më 1385, të ftuar nga Karl Topia, ushtritë

osmane morën pjesë në betejën që u zhvillua në fushën e Savrës kundër Balshës II. Fitorja e tyre në këtë

betejë lehtësoi depërtimin në thellësi të tokave perëndimore shqiptare, dhe në fund të viteve 80 ushtritë

osmane gjendeshin në dyert e Vlorës, të Durrësit, të Lezhës etj.

Beteja e Kosovës

Dëpërtimi i vrullshëm i turqve në Ballkan tronditi elitën politike drejtuese shqiptare dhe atë të forcave

fqinje. Të ndodhur përballë një armiku të përbashkët, princërit, mbretërit e fisnikët shqiptarë, serbë,

bullgarë e rumunë i fashitën mosmarrëveshjet dhe grindjet ndërmjet tyre dhe krijuan një koalicion

antiosman. Në të bënin pjesë personalitete të shquara shqiptare si Gjergji II Balsha, Teodor Muzaka, Gjon

Kastrioti etj. Këta, me forca të bashkuara, morën pjesë në betejën që u zhvillua në afërsi të Prishtinës, më

15 qershor 1389. Në këtë betejë të përgjakshme dhe të pabarabartë të zhvilluar ndërmjet 100 mijë

ushtarëve turq dhe 40 mijë luftëtarëve ballkanas u shqua luftëtari shqiptar Millosh Kopili, i cili arriti të

vriste sulltan Muratin I. Megjithëkëtë ballkanasit pësuan disfatë të rëndë dhe kjo i hapi rrugën sulltanit

pasardhës, Bajazitit I, për pushtime të reja në Ballkan. Gjatë sundimit të tij, turqit arritën të vendoseshin

diku përkohësisht e diku përgjithmonë në viset e tjera shqiptare, që nga Shkodra e Kruja dhe deri në

rajonet e Korçës e të Përmetit. Në Shqipëri u krijua kështu një situatë e rëndë në të gjitha fushat e jetës

shoqërore. Vendi pësoi një copëzim të madh politik. Zotërit e shumtë shqiptarë, duke qenë ushtarakisht të

pafuqishëm, përgjithësisht hynë nën vasalitetin e sulltanëve dhe nxituan të lidheshin me vende të tjera.

Duke përfituar nga një situatë e tillë e në marrëveshje me zotërit vendës ose edhe me presion, Venediku

arriti t’u merrte atyre qytetet bregdetare, që nga gjiri i Kotorrit e deri në atë të Artës, si Buduan, Tivarin,

Ulqinin, Shkodrën (bashkë me rrethinat e saj, Drishtin e Dèjën), Lezhën, Durrësin, Butrintin, Pargën etj.,

që ishin edhe qendra shumë të rëndësishme tregëtare e shkëmbimi me viset e brendshme të vendit.Pas

disfatës që pësoi ushtria e sulltan Bajazitit në betejën e Ankarasë më 1402 prej trupave mongole të

Timerlengut, përkohësisht zotërit shqiptarë i forcuan pozitat e tyre dhe në jetën politike të vendit dolën në

1 / 19

plan të parë familje të tilla, si Balshajt, Gojçinët (Çernojeviçët), Dukagjinët, Zahariajt, Spanët, Stres-

Balshajt në Shqipërinë e Sipërme; Kastriotët, Topiajt, Arianitët, Muzakajt, Gropajt në Shqipërinë

Qendrore; Shpatajt, Zenebishët në Shqipërinë e Poshtme etj. Sapo erdhi në pushtet, sulltan Mehmeti I

(1413-1421) mori masa energjike për rivendosjen e zgjerimin e pushtetit osman dhe gjatë viteve 1415-

1417 ushtritë e tij pushtuan njërën pas tjetrës kështjella të rëndësishme, si Krujën, Beratin, Kaninën e

Gjirokastrën.

Kryengritja e Gjon Kastriotit (1429 - 1430) dhe fitoret e Gjergj Arianitit (1432 - 1435)

Pas pushtimit të kështjellave të viseve perëndimore shqiptare, turqit vendosën në këtë rajon të Shqipërisë

administratën pushtuese. Nëpërmjet të regjistrimeve të herëpashershme të banorëve e të tokës dhe të

ndarjes së tokës në prona të vogla feudale (timare), turqit vendosën sistemin feudal ushtarak osman të

timareve, që ishte i ngjashëm me sistemin e pronës bizantine. Kjo lloj prone, në prag të pushtimit osman,

ishte në shpërbërje të plotë dhe shoqëria shqiptare ishte në një fazë më të avancuar, ku prona tokësore

shitej e blihej lirisht. Nëpërmjet këtyre regjistrimeve, turqit i zhveshën fisnikët dhe princërit shqiptarë nga

pronat e mëdha tokësore dhe nga të drejtat e tyre. Përveç kësaj, sulmet e njëpasnjëshme të ushtrive

osmane për pushtimin e trojeve shqiptare rrënuan jetën ekonomike të vendit dhe shkaktuan një

pakënaqësi të thellë e qëndresë të fuqishme te të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare. Kjo qëndresë u

shpreh në forma të ndryshme. Braktisja e vendbanimeve dhe kalimi në zona ende të papushtuara ose

emigrimi në vende të tjera u bënë dukuri të rëndomta në jetën e shqiptarëve, të cilët me armë në dorë

kundërshtonin regjistrimet, vrisnin nëpunësit e kadastrave si dhe feudalët osmanë. Gatishmëria e

shqiptarëve për të luftuar kundër pushtuesit e shfrytëzuesit osmanë, krijoi mundësi të favorshme e të

panjohura më parë për krijimin e ushtrive të mëdha e pa pagesë, të karakterizuara nga një shpirt i lartë

vetëmohimi, që nuk njihej në luftërat e zakonshme feudale dhe tek ushtritë mercenare. Në këto rrethana

nisi vala e kryengritjeve të fuqishme dhe të organizuara. Burimet historike përmendin një kryengritje të

banorëve të krahinës së Vajënetisë (Çamërisë) në kohën e sulltan Mehmetit I.Më 1428 sulltan Murati II

filloi sulmin mbi Selanikun, që ishte nën zotërimin venedikas. Ndërkohë luftëtarët e Gjon Kastriotit

sulmuan kështjellën e fuqishme të Krujës. Pasi morën Selanikun, trupat osmane, të drejtuara nga

sanxhakbeu i Shkupit, Isak bej Evrenozi, gjatë prillit e majit të vitit 1430, u sulën mbi Principatën e Gjon

Kastriotit. Ata shkatërruan disa kështjella të tij, kaluan edhe më në veri, ku pushtuan kështjellën e Dèjës

dhe e detyruan Nikollë Dukagjinin të braktiste zotërimet e veta. Dy vjet më vonë shpërtheu një valë e re

kryengritjesh të fuqishme në Shqipëri. Për shtypjen e tyre u angazhua vetë sulltan Murati II, i cili, bashkë

me ushtrinë e tij, gjatë dimrit të vitit 1432-1433 u vendos në Serez. Në krye të 10 mijë ushtarëve ai caktoi

ish-sanxhakbeun e këtyre anëve, Ali Beun, për të shpartalluar forcat e Gjergj Arianitit, që e kishin çliruar

principatën e tij nga spahinjtë osmanë. Kur ushtria e Ali Beut arriti në burimet e Byshekut (pranë

Elbasanit të sotëm), u sulmua nga luftëtarët e Gjergj Arianitit dhe u shpartallua plotësisht, duke lënë në

fushën e betejës shumë të vrarë e robër. Kjo ishte fitorja e parë e rëndësishme e shqiptarëve kundër

ushtrive të fuqishme osmane. Ajo pati jehonë edhe në vendet e tjera dhe i dha hov luftës antiosmane në

Shqipëri. Fitorja, siç shprehej kronisti bashkëkohës Halkokondili, i solli lavdi të shkëlqyer organizatorit të

saj, Gjergj Arianitit, që u bë figura qendrore e jetës politike shqiptare të viteve 30. Në veri të Shqipërisë,

luftëtarët e Nikollë Dukagjinit çliruan kështjellën e Dèjës. Ndërkohë përpjekjet e Andrea Topisë për të

çliruar Krujën nuk dhanë rezultat. Kurse forcat e Depë Zenebishit , që kishin rrethuar kryeqendrën e

sanxhakut shqiptar, Gjirokastrën, pësuan disfatë dhe komandanti i tyre ra rob dhe u var prej turqve.Gjatë

viteve 30, krahinat përgjatë dhe në afërsi të luginës së Shkumbinit, që ishin nën zotërimin e Arianitëve, u

bënë rajoni kryesor i luftës antiosmane. Emri e fama e Gjergj Arianitit si komandant i talentuar u rrit

gjithnjë e më shumë. Gjatë vitit 1434 Gjergj Arianiti i udhëhoqi shqiptarët në dy beteja të tjera fitimtare:

në shkurt 1434 u shpartalluan forcat e bejlerbeut të Rumelisë, Sinan Pashës, dhe në dhjetor u mund

ushtria e sanxhakbeut të Shkupit, Isak Beut. Më 20 prill 1435 luftëtarët e Gjergj Arianitit korrën edhe një

fitore të re, pas së cilës sulltan Murati II e ndërpreu dërgimin e ushtrive të tjera kundër tij. Fitoret e Gjergj

Arianitit rritën besimin dhe vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur lirinë nga një pushtues shumë i

fuqishëm. Ato patën jehonë të gjerë në Europë dhe sidomos te Papati. Mbreti i Hungarisë, Sigismundi, u

lidh me drejtuesit e kryengritjeve shqiptare, veçanërisht me Gjergj Arianitin dhe bashkë arritën në

marrëveshje që, duke u mbështetur në viset e çliruara shqiptare, të organizohej një kryengritje e

përgjithshme në Ballkan. Për këtë qëllim, mbreti i Hungarisë dërgoi në Shqipëri, në pranverë të vitit 1435

pretendentin e fronit bullgar, Fruzhinin, dhe pas një viti, princin pretendent të fronit osman, Dautin. Por

2 / 19

përpjekjet për organizimin e një lëvizjeje të përgjithshme antiosmane nuk patën jehonë në vendet e tjera

të Ballkanit.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu Lidhja shqiptare e Lezhës

Principata e Kastriotëve

Kastriotët e kanë origjinën nga Hasi i Kukësit. Gjyshi i Skënderbeut, Pal Kastrioti, mund të jetë larguar

nga Hasi dhe të jetë vendosur si pronar i dy fshatrave në luginën e Drinit të Zi (Sinjës dhe Gardhit të

Poshtëm). Zotërimet e Kastriotëve filluan të zgjeroheshin që në fund të shek. XIV nga i biri i Palit, Gjon

Kastrioti. Në dy dhjetëvjeçarët e parë të shek. XV, Principata e Kastriotëve arriti fuqizimin e saj më të

madh. Ajo siguroi daljen në detin Adriatik, ku kishte skelën dhe qendrën doganore të Shufadasë në

grykëderdhjen e lumit Mat, dhe pranë saj, kriporet e Shënkollit. Në lindje principata shtrihej të paktën

deri në rrethinat e Gostivarit dhe kufizohej me zotërimet e vjehrrit të Gjonit që banonte në krahinën e

Pollogut. Gjon Kastrioti ishte i lidhur edhe me bregdetin e Egjeut ku ndodhej manastiri i Hilandarit, të

cilit ai i dhuroi dy fshatra nga rrethina e Gostivarit dhe i bleu një kullë. Në këtë manastir jetoi si murg një

djalë i tij ku dhe u varros. Principata e Kastriotëve në veri kufizohej me Principatën e Dukagjinëve dhe në

jug me principatat e Arianitëve dhe të Tapiajve. Në Principatën e Kastriotëve kalonin rrugë të

rëndësishme që lidhnin viset qendrore me ato jugore e veriore si dhe viset perëndimore me ato lindore të

vendit; në të ishin përfshirë një numër i konsiderueshëm kështjellash dhe qendrash ekonomike si Prizreni,

Shufadaja, kriporet e Shënkollit, kështjella e Gurit të Bardhë, ajo e Stelushit etj. kalonin rrugë të

rëndësishme që lidhnin viset qendrore me ato jugore e veriore si dhe viset perëndimore me ato lindore të

vendit; në të ishin përfshirë një numër i konsiderueshëm kështjellash dhe qendrash ekonomike si Prizreni,

Shufadaja, kriporet e Shënkollit, kështjella e Gurit të Bardhë, ajo e Stelushit etj. Pozita dhe rëndësia

strategjike e Principatës së Kastriotëve bëri që Gjon Kastrioti të kishte lidhje të shumta politike e

martesore me principatat e tjera shqiptare. Ai hyri në marrëveshje të ngushta ekonomike dhe politike edhe

me vendet e huaja, aq sa Venediku dhe Raguza në fund të viteve 30 të shek. XV u dhanë Gjonit dhe

djemve të tij privilegje dhe të drejtën e qytetarisë.

Jeta dhe veprimtaria e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut (deri më 1443)

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu lindi rreth vitit 1405. Ishte djali më i vogël dhe fëmija i parafundit i familjes

me shumë fëmijë të Gjonit e të Vojsavës, familja e së cilës banonte në krahinën e Pollogut. Ata kishin

katër djemë (Stanishin, Reposhin, Kostandinin e Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën,

Vllajkën e Mamicën). Gjergji lindi në një kohë kur Principata e Kastriotëve ishte fuqizuar. Kur turqit

morën Krujën (në fund të vitit 1414 ose në fillim të vitit 1415), që ishte në kufi me Principatën e

Kastriotëve, Gjoni , i cili më 1410 u kishte dhënë një djalë peng turqve (ndoshta Stanishin) u detyrua edhe

tani t’u jepte atyre peng djalin e vogël, Gjergjin. Për një periudhë rreth 10-vjeçare, Gjergji vazhdoi

shkollën e iç-ogllanëve të Edrenesë, ku përgjithësisht futeshin djemtë e sundimtarëve të porsanënshtruar e

vasalë, për t’i përgatitur e edukuar me frymën osmane, si komandantë të zotë e feudalë të bindur. Natyra e

kishte pajisur Gjergj Kastriotin me dhunti të veçanta, shumë të çmuara. Ai ishte shtatlartë e shumë i

fuqishëm. Ishte mendjemprehtë dhe mësoi disa gjuhë të huaja. Gjatë viteve të shkollimit Gjergji u dallua

nga të tjerët. Atij iu vu emri mysliman Skënder dhe mori pjesë në fushata të ndryshme ushtarake në

Ballkan dhe në Azinë e Vogël. Luftonte mbi kalë e me këmbë dhe ishte mjeshtër i pashoq në përdorimin e

shpatës e të armëve të tjera. Pasi mbaroi shkollën e iç-ogllanëve, Skënderi hyri në kuadrot ushtarakë dhe

mori titullin e beut, duke përparuar shpejt në karrierën shtetërore: nga spahi arriti deri në postin e lartë të

sanxhakbeut. Në mesin e viteve 20 ai u dërgua në Shqipëri dhe qëndroi si kuadër i Perandorisë Osmane

deri në fund të viteve 30. Si spahi Skënderbeu pati një timar të madh në zonën midis Lezhës dhe Rubikut,

ku ndodheshin edhe porti i Shufadasë dhe kriporet e Shënkollit. Në vitet 1437 - 1438 Skënderbeut iu dha

posti i subashit të Krujës, kurse me detyrën e sanxhakbeut të Sanxhakut Shqiptar ishte i biri i Teodor

Muzakës, Jakup Beu. Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri, Skënderbeu ashtu si dhe Jakup Beu, favorizoi

elementin shqiptar në marrëdhëniet me administratën osmane dhe u kujdes për mbarëvajtjen e Principatës

së Kastriotëve. Në fund të viteve 30, kur në Ballkan po fillonin trazirat antiosmane, sulltan Murati II

transferoi Jakup Beun dhe Skënderbeun nga postet e larta që kishin në Shqipëri. Emërimin e tij si

sanxhakbej larg Shqipërisë, ndoshta në Nikopol të Bullgarisë, Skënderbeu nuk mund ta shikonte si një

,,gradim’’ , por si shprehje të mosbesimit të sulltanit ndaj tij dhe ndaj elementit shqiptar që ishte përfshirë

3 / 19

në administratën e shtetit osman, (aq më tepër që në atë kohë atij i kishte vdekur i ati dhe dy vëllezër dhe

në krye të Principatës duhej të vihej ai me Stanishin).

Kryengritja e përgjithshme çlirimtare (nëntor 1443)

Në fillim të viteve 40 të shek. XV në Europë po gjallëroheshin shpresat për dëbimin e osmanëve nga

Ballkani. Në këtë drejtim kishte ndikuar pozitivisht vendimi për bashkimin e kishës ortodokse me atë

katolike, nën kryesinë e kësaj të fundit, dhe disfata e rëndë që pësoi ushtria osmane në shtator të vitit 1442

prej trupave të Mbretërisë së Polonisë dhe të Hungarisë, të komanduara nga Janosh Huniadi. Pas kësaj

fitoreje, papa Eugjeni IV veproi aktivisht për të nxitur ballkanasit të ngriheshin kundër pushtuesve

osmanë.Në shtator të vitit 1443, Gjergj Arianiti filloi veprimet luftarake në viset qendrore. Kurse më në

jug forcat e Gjin Zenebishit kaluan nga rrethinat e Sarandës e të Gjirokastrës në drejtim të Kosturit, ku u

thyen prej turqve. Në tetor të vitit 1443 trupat polake e hungareze, të komanduara nga Janosh Huniadi,

pasi kaluan Danubin iu drejtuan viseve verilindore shqiptare dhe, siç shkruante ai, ushtria e tij ,,rritej nga

dita në ditë me shumë bullgarë, shqiptarë, serbë e boshnjakë’’. Beteja u zhvillua më 3 nëntor 1443 në

afërsi të Nishit, ku ishte i pranishëm edhe Skënderbeu. Shpartallimin e forcave osmane në këtë betejë,

Skënderbeu e gjykoi si çastin më të përshtatshëm për çlirimin e tokave shqiptare. Pasi grumbulloi rreth

vetes disa qindra bashkëluftëtarë, pjesëmarrës në betejën e Nishit dhe i shoqëruar nga i nipi, Hamza

Kastrioti, Skënderbeu u nis në drejtim të atdheut. Gjatë kthimit u ndal në Dibër, mblodhi menjëherë krerët

e vendit dhe u tregoi planin e veprimeve. Shumicën e bashkëluftëtarëve e nisi që të fshiheshin në rrethinat

e Krujës, kurse vetë u paraqit para autoriteteve osmane të Krujës, sikur ishte riemëruar subash i saj.Pasi

mori në dorëzim Krujën, Skënderbeu futi natën në kështjellë bashkëluftëtarët e fshehur në rrethinat e saj

dhe, në bashkëpunim me krutanët, shpartalloi garnizonin osman. Të nesërmen, më 28 nëntor 1443, kur të

gjithë qytetarët i kishte pushtuar një gëzim i papërmbajtur dhe, siç shprehej Barleci, ,,të gjithë kishin në

gojë lirinë, kudo oshëtinte zëri i ëmbël i lirisë’’, mbi muret e kështjellës së Krujës u ngrit flamuri i

Kastriotëve.Lajmi i fitores historike, i çlirimit të Krujës, u përhap me shpejtësi dhe u prit me gëzim të

papërshkrueshëm në mbarë vendin. Ai i dha hov të paparë luftës çlirimtare. Pas Krujës, luftëtarët e

Skënderbeut çliruan radhazi kështjellat e Petrelës (në jug të Tiranës), të Gurit të Bardhë në Mat, të

Stelushit e të Sfetigradit në Dibër etj. Kryengritja e vitit 1443 përfshiu vise të tëra. Si rrjedhojë, në

hapësirat e Shqipërisë së Sipërme e Qendrore dhe deri te lumenjtë Devoll e Seman u rimëkëmbën një

numër principatash e zotërimesh të rëndësishme, si ajo e Dukagjinëve, e Stres-Balshajve, e Zahariajve, e

Spanëve, e Dushmanëve, në veri të Principatës së Kastriotëve, dhe në jug të saj, Principata e Arianitëve, e

Topiajve dhe ajo e Muzakajve.

Kuvendi i Lezhës dhe formimi i Lidhjes Shqiptare

Menjëherë pas fitores së madhe të vitit 1443 Skënderbeu filloi takimet me princër e fisnikë të tjerë

shqiptarë për të gjetur rrugën e bashkimit, pa të cilën nuk mund t’i bëhej ballë fuqisë ushtarake më të

madhe të kohës. Për këtë qëllim, më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shënkollit të qytetit të Lezhës u

mbajt i pari Kuvend Kombëtar i princërve dhe i fisnikëve shqiptarë të shek. XV, disa prej të cilëve kishin

udhëhequr kryengritjet e viteve 30. Në këtë Kuvend morën pjesë: Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andrea

Topia (bashkë me dy djemtë e tij), Gjerjgj Stres-Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Teodor Muzaka i Riu

(dhe disa pjesëtarë të kësaj familje), Lekë Zaharia, Pjetër Spani (bashkë me katër djemtë e tij), Lekë

Dushmani, Stefan Gojçini (Cernojeviçi) etj. Skënderbeu, si drejtues i Kuvendit, mbajti fjalën e hapjes, në

të cilën theksoi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve. Kuvendi vendosi që

bashkimi të bëhej në formën e një besëlidhjeje, të një aleance politike e ushtarake ndërmjet drejtuesve të

principatave e të krerëve të tjerë të vendit, që njihet me emrin Lidhja Shqiptare e Lezhës. Si kryetar i saj u

zgjodh Skënderbeu. Vendim tjetër i rëndësishëm ishte krijimi i ushtrisë së përbashkët dhe caktimi i

Skënderbeut si komandant i përgjithshëm i saj. Për të përballuar shpenzimet e ushtrisë, të armatimit të saj

etj., Kuvendi vendosi gjithashtu të krijohej një arkë e përbashkët që do të administrohej nga Skënderbeu.

Të ardhurat e saj do të vinin nga kuotat që do të jepnin anëtarët e Lidhjes. Me vendimet e Kuvendit të

Lezhës u bë një hap i madh e vendimtar drejt bashkimit politik të vendit dhe krijimit të një pushteti

qendror të përfaqësuar nga Gjergj Kastrioti - Skënderbeu , të cilin ai e fuqizoi gjithnjë e më shumë për të

bashkuar sa më organikisht shqiptarët e viseve të lira shqiptare.

4 / 19

FITORET E LIDHJES SHQIPTARE NËN UDHËHEQJEN E SKËNDERBEUT GJATË VITEVE

1444 – 1457

Fitoret e para ushtarake (1444-1447)

Çlirimi i rajoneve të tëra në Shqipërinë e Mesme e Veriore dhe bashkimi i forcave politike shqiptare ishin

ngjarje të rëndësishme edhe në plan ndërkombëtar dhe shkaktuan shqetësim të veçantë në oborrin osman.

Sulltan Murati II ngarkoi Ali Pashën, një nga komandantët e tij më të shquar, që të rivendoste pushtetin

osman në ato rajone. Në krye të 25 mijë vetave, Ali Pasha iu drejtua viseve të lira shqiptare. Skënderbeu

përgatiti një ushtri prej afro 8. mijë kalorësish e 7. mijë këmbësorësh. Beteja u zhvillua në verë të vitit

1444, në një fushë të Dibrës së Poshtme të palokalizuar ende, që konvencionalisht është cilësuar si Beteja

e Torviollit. Ajo filloi me sulmin e shqiptarëve, të cilët luftuan heroikisht dhe arritën një fitore të

shkëlqyer. Në atë betejë, shkruan Barleci, ,,luanët komanduan luanët’’. Fitorja e Torviollit pati jehonë të

thellë në Shqipëri dhe në vendet e tjera. Ajo përforcoi besimin e shqiptarëve të Skënderbeu dhe tek

ushtria e Lidhjes. Në vjeshtën e vitit 1445, kundër Shqipërisë erdhën njëra pas tjetrës dy ushtri osmane, të

cilat u shpartalluan në luginën e ngushtë të Mokrës së Dibrës. Në vitin 1447 shqiptarët shpartalluan një

ushtri tjetë osmane në Oranik të Dibrës. Këto fitore ushtarake e rritën më tej autoritetin e Skënderbeut dhe

në rrafsh ndërkombëtar e bënë Shqipërinë një fuqi antiosmane të dorës së parë.

Konflikti me Venedikun (1447 - 1448)

Venediku ishte një nga shtetet më të fuqishme detare e tregtare në tërë pellgun e Mesdheut dhe zotëronte

një numër qytetesh e qendrash të rëndësishme tregtare dhe ekonomike të Ballkanit e më gjerë. Edhe pas

çlirimit të rajoneve të gjera të Shqipërisë Qendrore e Veriore, Venediku përpiqej të shfrytëzonte situatat e

krijuara për të forcuar pozitat e veta. Në shtator të vitit 1444 mori kështjellën e Dèjës, qendër e

rëndësishme doganore, duke shfrytëzuar vrasjen e zotit të saj, Lekë Zaharisë. Ky akt ndikoi në acarimin e

marrëdhënieve të shqiptarëve me Venedikun. Në vjeshtë të vitit 1447 Skënderbeu mblodhi Kuvendin e

Lidhjes në të cilin u vendos për fillimin e luftës kundër Venedikut. Në nëntor shqiptarët rrethuan Durrësin

dhe Dèjën, kurse gjatë pranverës së vitit 1448, ushtria shqiptare, e drejtuar nga Skënderbeu dhe Gjergj

Arianiti, shpartalloi në brigjet e Drinit një ushtri Venedikase, të komanduar nga Daniel Juriqi, dhe më pas

sulmoi Shkodrën e Drishtin. Forcat e Skënderbeut, me të cilat u bashkuan shumë shqiptarë të zotërimeve

venedikase, kaluan lumin e Bunës dhe iu drejtuan Tivarit.Nën nxitjen dhe kërkesën e Venedikut, sulltan

Murati II u nis në drejtim të viseve të lira shqiptare dhe me një ushtri të fuqishme rrethoi Sfetigradin. Në

këto rrethana, Skënderbeu u largua nga zotërimet e Venedikut dhe me pjesën kryesore të ushtrisë u nis në

drejtim të Sfetigradit. Luftimet këtu u zhvilluan gjatë muajve qershor - gusht 1448. Pasi turqit zbuluan e

prishën kanalin e furnizimit me ujë të kështjellës së Sfetigradit, etja i detyroi mbrojtësit e saj të

dorëzoheshin. Sulltani i ndërpreu veprimet ushtarake të mëtejshme kundër shqiptarëve, sepse duhej të

përballonte ushtrinë e Janosh Huniadit. Ky po përgatitej të marshonte në thellësi të zotërimeve osmane

për t’u bashkuar me rreth 20 mijë luftëtarë të Skënderbeut dhe për të zhvilluar një betejë të përbashkët

kundër ushtrive osmane. Në këtë kuadër, Lidhja Shqiptare ndërpreu luftën me Venedikun dhe më 4 tetor

1448 u nënshkrua traktati i paqes. Në bazë të tij Dèja i mbetej Venedikut, i cili do t’i paguante çdo vit

Skënderbeut 1 400 dukate, do t’u krijonte lehtësira doganore disa fisnikëve shqiptarë etj. Me gjithë

përgatitjet që bënë, shqiptarët nuk arritën të merrnin pjesë në betejën e zhvilluar më 18 tetor 1448 në

afërsi të Prishtinës, të cilën Huniadi e humbi.

Mbrojtja e Krujës gjatë rrethimit të parë (korrik - tetor 1450)

Gjatë vitit 1450 sulltani bëri përgatitje intensive për organizimin e një fushate ushtarake shumë më të

fuqishme se ajo e vitit 1448. Në fund të korrikut të vitit 1450 një ushtri e fuqishme prej 100 mijë vetash, e

drejtuar nga sulltan Murati II, të cilin e shoqëronte edhe i biri 18 - vjeçar, sulltani i ardhshëm Mehmeti II,

vërshoi në viset e lira shqiptare ,,duke i vënë zjarrin çdo gjëje që takonte’’. Gjatë kalimit nëpër luginën e

Shkumbinit, ushtria osmane u ndodh nën goditjen e luftëtarëve të Gjergj Arianitit, megjithatë ajo arriti ta

vendoste kampin e vet në fushën pranë Krujës. Mbrojtësit e Krujës, të komanduar nga Vrana Konti,

refuzuan me përbuzje ofertat e sulltan Muratit II për dorëzimin e kështjellës. Pranë saj osmanët derdhën

5 / 19

topa të fuqishëm dhe me predhat e tyre prej guri rrahën muret e kështjellës, një pjesë e të cilave u dëmtua.

Pas bombardimit, osmanët u vërsulën drejt mureve të dëmtuara, por ndeshën në heroizmin e mbrojtësve të

Krujës, të cilët shkruan një epope të lavdishme. Ushtria shqiptare, që vepronte jashtë kështjellës nën

komandën e Skënderbeut, i sulmonte pareshtur dhe befasisht trupat armike njëkohësisht nga drejtime të

ndryshme, ditën e natën, gjë që i shkaktoi amikut mijëra e mijëra të vrarë dhe vështirësi të shumta

furnizimi me ushqime e me mallra të tjera. Pasi i humbi shpresat për mposhtjen e qëndresës shqiptare,

sulltan Murati II kërkoi të arrinte një marrëveshje paqeje me Skënderbeun, të cilën ky e refuzoi. Në mesin

e tetorit 1450, sulltan Murati II hoqi dorë nga rrethimi i Krujës dhe pas disa muajsh vdiq. Mbrojtja

heroike e Krujës më 1450 ishte një nga fitoret më të shkëlqyera të shqiptarëve. Jehona e saj qe shumë e

madhe, si në Shqipëri, ashtu edhe në vendet e tjera europiane. Për këtë fitore, heroi shqiptar mori

përgëzime nga vende të ndryshme dhe personalitete të shquara të kohës.

Përpjekjet për çlirimin e viseve jugore. Fitorja e Ujit të Bardhë (1457)

Pas vdekjes së Muratit II në fronin osman hypi i biri i tij, Mehmeti II (1451-1481), i cili nuk do të vononte

të dërgonte forcat e tij kundër viseve të lira shqiptare. Kështu, më 1452, një ushtri osmane prej 12 mijë

vetash iu drejtua kështjellës së Modricës, në brigjet e Drinit të Zi, të cilën Skënderbeu sapo e kishte

ngritur. Kur trupat osmane po i ngjiteshin kodrës për në kështjellën e Modricës, u sulmuan nga lart poshtë

nga shqiptarët, dhe shumica u vranë e ranë robër së bashku me komandantin e tyre, Hamza Beun. Pas disa

muajsh sulltani nisi një ushtri tjetër. Për shpartallimin e saj Skënderbeu i kaloi luftëtarët e vet në thellësi

të viseve të pushtuara, e sulmoi atë natën e në disa drejtime në fushën e Pollogut dhe vrau edhe

komandantin e saj, Debrenë. Skënderbeu ishte i vetëdijshëm për domosdoshmërinë e çlirimit të viseve

shqiptare edne të pushtuara si dhe të rajoneve të tjera të Ballkanit, si rruga e vetme për të shpëtuar nga

sulmet e pandërprera të ushtrisë osmane. Këtij qëllimi i shërbyen edhe lidhjet e ngushta që ai krijoi me

vendet e tjera. Në verë të vitit 1455 erdhën në Shqipëri 500 ushtarë napolitanë për të ndihmuar shqiptarët

në luftë për çlirimin e kështjellës së Beratit. Kur trupat osmane ishin të zëna me pushtimin e Kosovës, në

verë të vitit 1455 shqiptarët rrethuan Beratin. Për shkak të pakujdesisë së Muzakë Topisë (që ishte

martuar me motrën e vogël të Skënderbeut, Mamicën), më 26 korrik 1455 nga një sulm i befasishëm i një

ushtrie osmane prej 30 mijë vetash u vranë të 5 mijë luftëtarët e tij. Kurse 7 mijë luftëtarë tjerë shqiptarë,

së bashku me Skënderbeun e Gjergj Arianitin që ishin në rrethinat e Beratit, rendën të ndihmonin

vëllezërit e tyre, por u gjendën të rrethuar. Ata shpëtuan vetëm në saje të heroizmit të Skënderbeut. Kjo

ngjarje pati rrjedhoja në jetën politike të vendit. Te disa fisnikë shqiptarë, duke përfshirë këtu edhe

bashkëpunëtorë të ngushtë të Skënderbeut, si Moisi Arianiti (Golemi) e Hamza Kastrioti, u trondit besimi

në luftën kundër ushtrive osmane, aq sa ata kaluan në anën e armikut dhe bashkëpunuan me të. Në

pranverë të vitit 1456, Skënderbeu shpartalloi një ushtri osmane të komanduar nga Moisi Arianiti në

fushën e Oranikut të Dibrës. Pas kësaj, i penduar për aktin e tij, Moisiu luftoi besnikërisht përkrah

Skënderbeut deri në vdekje. Por edhe më e rëndësishme ishte fitorja e vitit 1457 në Ujëbardhë. Një ushtri

e fuqishme osmane prej 80 mijë vetash erdhi në tokat e lira shqiptare në korrik të vitit 1457. Ajo

komandohej nga Isa Bej Evrenozi dhe Hamza Kastrioti. Si zakonisht, Skënderbeu me luftëtarët e vet zuri

shtigjet në ballin lindor, nga pritej afrimi i ushtrisë osmane. Pas disa ndeshjeve të parëndësishme me të, ai

e shpërndau pjesën më të madhe të ushtrisë dhe u tërhoq sikur u shpartallua. Kjo manovër e Skënderbeut

pati sukses të plotë. Trupat osmane i ranë kryq e tërthor vendit pa rënë në gjurmë të luftëtarëve shqiptarë.

Kur ushtria osmane e mashtruar plotësisht rrinte e shkujdesur si fitimtare në fushën e Ujit të Bardhë pranë

Mamurrasit, Skënderbeu i grumbulloi fshehurazi luftëtarët shqiptarë dhe më 2 shtator 1457 e goditi atë

befasisht në disa drejtime. Të ndodhur në gjumin e mesditës, pa armë e me kuaj të pashaluar, trupat

osmane pësuan një disfatë të plotë. Shumica e tyre u vranë dhe ranë robër në duart e shqiptarëve. Fitorja

në betejën e Ujit të Bardhë pati në Shqipëri rrjedhoja të shumanshme politike dhe ushtarake. Ajo ishte një

goditje vendimtare ndaj lëkundjeve që u shfaqën në gjirin e disa fisnikëve shqiptarë dhe ndikoi së tepërmi

në rritjen e autoritetit të Skënderbeut e në forcimin e pushtetit të tij në të gjitha viset e lira shqiptare.

6 / 19

MARRËDHËNIET E GJERGJ KASTRIOTIT - SKËNDERBEUT ME EUROPËN

Marrëdhëniet me vendet e Europës Juglindore

Lufta heroike dhe e suksesshme e shqiptarëve kundër forcave osmane bëri që ata të vlerësoheshin nga

shtetet e huaja si një fuqi e rëndësishme e dorës së parë dhe i vuri shqiptarët në ballë të përpjekjeve për

dëbimin e osmanëve nga viset e pushtuara të Europës. Lufta kundër të njëjtit agresor, Perandorisë

Osmane, i ofroi dhe i bëri aleatë të natyrshëm vendet e Europës Juglindore. Si rrjedhim, me kohë u

vendosën lidhje ndërmjet shteteve, principatave e zotërimeve të kësaj pjese të Europës. Në këtë kuadër

dalloheshin marrëdhëniet e shqiptarëve me Hungarinë. Deri në vitin 1456, kur vdiq Janosh Huniadi,

Hungaria luftonte kundër pushtuesve osmanë dhe ishte kështu aleati më i rëndësishëm i shqiptarëve. Duke

goditur secila palë në sektorin e vet të njëjtin armik, lehtësonin barrën e njëra-tjetrës. Bashkëpunimin

ushtarak ndërmjet tyre Skënderbeu dhe Huniadi u përpoqën ta shtrinin deri në organizimin e fushatave

ushtarake të përbashkëta. Më 1448 dhe 1456 Skënderbeu u përgatit të merrte pjesë përkrah Janosh

Huniadit në betejat që ai zhvilloi me turqit në Kosovë dhe në Beograd. Por ushtria shqiptare nuk arriti të

merrte pjesë në këto beteja për shkak të pengesave që vinin nga largësitë e mëdha midis vendeve të tyre

dhe të qëndrimeve armiqësore të sundimtarëve serbë të atyre anëve. Marrëdhëniet e Skënderbeut me

sundimtarët sllavë, si me Gjergj Brankoviçin, në zotërimet e të cilit përfshihej në atë kohë pjesa më e

madhe e Kosovës, dhe me princin Stefan të Bosnjës, nuk arritën shkallën e bashkëpunimit, sepse ata ishin

të pavendosur dhe iu nënshtruan osmanëve si vasalë. Lidhjet tradicionale dhe të vazhdueshme, kryesisht

ekonomike-tregtare, shqiptarët i kishin me qytetin e Raguzës (Dubrovnikun), që ishte nën sovranitetin e

Hungarisë. Raguza i dha një mbështetje të gjerë morale luftës heroike të shqiptarëve si dhe një ndihmë

modeste ekonomike-financiare. Kurse në aspektin ushtarak, ajo i ruhej konfrontimit me turqit, ndaj të

cilëve paguante një tribut vjetor. Lufta fitimtare e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut ushtroi

ndikim të fuqishëm në të gjitha rajonet e Ballkanit dhe i nxiti ato të lidheshin me Shqipërinë. Në vitet 60

Skënderbeu ishte lidhur me despotin e Artës, peshkopin e Ohrit etj.

Lidhjet e Skënderbeut me shtetet italiane

Lufta e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut vlerësohej në Europë si një barrierë e fuqishme që

pengonte kalimin e ushtrive osmane në drejtim të Italisë. I vetëdijshëm për këtë ishte edhe vetë heroi

shqiptar, i cili në tetor të vitit 1460 i shkruante një princi italian : ,,Në qoftë se unë do të thyhesha, Italia

do ta ndiente dhe si rrjedhim, ai zotërim që ju thoni se është i juaji, do të ishte i turqve’'.

Gjatë shek. XV Italia ishte e copëtuar politikisht në shumë shtete, me të cilat Skënderbeu krijoi

marrëdhënie të ngushta. Lidhje të shumanshme kishin shqiptarët sidomos me Venedikun, ngaqë ky

zotëronte në viset bregdetare të Shqipërisë qytete e qendra të rëndësishme ekonomike e tregëtare.

Marrëdhëniet e shqiptarëve me Venedikun kanë qenë komplekse dhe ndërmjet tyre ka pasur jo vetëm

mirëkuptim, por edhe mosmarrëveshje e konfrontime, siç ndodhi më 1447-1448. Për t’i ruajtur zotërimet

e shumta që kishte në gjithë bregdetin e Ballkanit, Venedikut i duhej të mbante marrëdhënie sa më të mira

me sulltanët osmanë. Prandaj nga viti 1419 e deri në mesin e viteve 50 ai kishte nënshkruar me ta një

numër traktatesh paqeje, nëpërmjet të cilave siguronte paprekshmërinë e zotërimeve të veta në Ballkan.

Në këto rrethana , Venediku nuk mund të ishte aleat në luftën antiosmane, ashtu siç e kërkonin shqiptarët.

Më vonë, sidomos gjatë viteve 60, kur ushtritë osmane filluan të pushtonin zotërimet venedikase në More

(Peloponez), pati një afrim e bashkëpunim më të madh ndërmjet Skënderbeut dhe Venedikut. Ndër shtetet

italiane Papati ishte më i interesuari për fuqizimin e luftës ontiosmane. Pushtimet osmane dëmtonin rëndë

interesat e kishës katolike në Ballkan. Papët e Romës e shihnin me simpati dhe e inkurajonin luftën e

shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut. Ata e propagandonin gjerësisht këtë luftë, dhe Skënderbeun e

cilësonin si ,,Mbrojtës të krishterimit’’ dhe i dhanë titullin ,,Kapiten i përgjithshëm i Selisë së Shenjtë’’.

Papati i mbështeti përpjekjet e Skënderbeut për bashkimin politik të shqiptarëve dhe i kërcënoi me

çkishërim ata fisnikë shqiptarë që afroheshin me turqit. Nuk mungoi edhe përkrahja financiare e tij për

Skënderbeun, sidomos në vitet 60. Në kuadrin e lidhjeve të Skënderbeut me shtetet italiane, një vend të

veçantë kishin ato me Mbretërinë e Napolit. Skënderbeu dhe fisnikë të tjerë shqiptarë, në vitin 1451

lidhën traktate me mbretin Alfonsi V të Napolit për të bashkëpunuar në luftën antiosmane dhe projektuan

edhe çlirimin e viseve të pushtuara. Në këtë kuadër më 1455 erdhën disa qindra ushtarë napolitanë që

morën pjesë në betejën e Beratit. Pas vdekjes së Alfonsit V (1455), i biri, Ferdinandi I, hoqi dorë

7 / 19

plotësisht nga ideja për t’u shtrirë në drejtim të Ballkanit dhe përkohësisht lidhjet e tij me shqiptarët u

dobësuan. Për të gjallëruar marrëdhëniet me Mbretërinë e Napolit, Skënderbeu ndërhyri në luftën civile

që kishte shpërthyer atje dhe i dha ndihmë ushtarake mbretit Ferdinand. Në shtator të vitit 1460

Skënderbeu dërgoi grupin e parë të luftëtarëve të drejtuar nga i nipi, Goiko Stres-Balsha. Në fund të

gushtit të vitit 1461, në krye të 2-3 mijë luftëtarëve, Skënderbeu u nis për në Itali dhe zbarkoi në Barleta,

ku gjendej i rrethuar mbreti Ferdinand. Forcat kundërshtare i zuri paniku përballë luftëtarëve shqiptarë

dhe u detyruan të hiqnin dorë nga rrethimi i Barletës. Skënderbeu organizoi sulme të njëpasnjëshme dhe

çliroi një varg qytetesh e qendrash të fortifikuara, si Tranin, Sant Anxhelon e San Xhovani Rotondon dhe

i caktoi atij një pension vjetor prej 1 200 dukatesh.

Vendi i shqiptarëve në projektet europiane për luftë të përbashkët

Pasi sulltan Mehmeti II pushtoi më 1453 kryeqytetin e Perandorisë Bizantine, Kostandinopojën, të cilës iu

dha emri Stamboll, u rrit frika ndaj rrezikut të pushtimeve osmane. Ajo përfshiu edhe sundimtarët e disa

vendeve të tjera europiane. Në këto rrethana filluan të hartoheshin projekte për një luftë të përbashkët të

vendeve europiane kundër Perandorisë Osmane. Një gjë të tillë papët e propaganduan gjerësisht, duke i

dhënë edhe veshje fetare, si një ,,kryqëzatë kundër të pafeve’’. Projekte antiosmane hartuan mbreti

Alfonsi V i Napolit, papa Nikolla V, papa Kaliksi III, papa Piu II, princa e mbretër gjermanë e hungarezë,

emiri Ibrahim në Azinë e Vogël etj. Në të gjitha këto projekte për luftë të përbashkët, një vend qendror i

jepet ushtrisë shqiptare të Skënderbeut. Kështu p.sh. në projektin e papa Piut II parashikohej që ushtria e

përbashkët europiane të ishte 40 mijë veta, gjysmën e tyre do ta dërgonin vendet europiane dhe do të

zbarkonte bashkë me papën në Raguzë për t’u bashkuar me 20 mijë luftëtarët shqiptarë. Kjo ushtri e

fuqishme do të formonte frontin qendror, (në frontin e Danubit do të vepronin hungarezët, kurse në

bregdetin e Greqisë flota ushtarake italiane), dhe do të kishte si komandant të përgjithshëm Skënderbeun,

të cilin papa Piu II do ta kurorëzonte mbret. Papa dhe Skënderbeu vepruan energjikisht për realizimin e

këtij projekti. Në verë të vitit 1464 papa Piu II shkoi në Ankonë për të pritur ushtritë europiane që do të

grumbulloheshin aty për të kaluar në Raguzë. Por, më 14 gusht 1464, ai vdiq në Ankonë dhe bashkë me të

u varrosën përfundimisht edhe përpjekjet për organizimin e një fushate antiosmane në shkallë europiane.

BETEJAT E MËDHA TË VITEVE 60. QËNDRESA E SHQIPTARËVE TË MORESË

Fitoret e ushtrisë së Gergj Kastriotit - Skënderbeut në vitet 1462 – 1465

Pas humbjes së rëndë që pësuan në betejën e Ujit të Bardhë më 1457, ushtritë osmane i ndërprenë për disa

vjetë sulmet e tyre mbi viset e lira shqiptare. Gjatë kohës së ekspeditës shqiptare në Itali u nënshkrua edhe

një armëpushim me turqit. Më 1462, pasi u kthye nga Italia, Skënderbeu shpartalloi njërën pas tjetrës tri

ushtri. Të parën, të komanduar nga Sinan Beu, e shpartalloi në Mokër të Dibrës, kurse të dytën pranë

qytetit të Ohrit dhe zuri rob edhe komandantin e saj, Hasan Beun. Gjatë rrugës së kthimit për në Krujë,

Skënderbeut i erdhi lajmi për ushtrinë e tretë, drejt së cilës ai u nis menjëherë dhe e shpartalloi atë në

afërsi të Shkupit. Gjatë vitit 1462 shqiptarët u ndeshën edhe me një ushtri tjetër në fushën e Livadhit,

pranë Ohrit. Pas një ndërprerjeje gati dy vjeçare, luftimet rifilluan në gusht të vitit 1464, me shpartallimin

e plotë pranë Ohrit të ushtrisë së komanduar nga Sheremeti. Pas kësaj, sulltan Mehmeti II ia ngarkoi

drejtimin e ushtrisë kundër Shqipërisë sanxhakbeut të Ohrit, Ballaban Pashës, që ishte me origjinë nga

Mati, i edukuar që në fëmijëri (kur qe rrëmbyer nga turqit) me besnikëri ndaj sulltanit. Gjatë vitit 1465 u

zhvilluan një sërë betejash me Ballaban Pashën. Në betejën e parë, në fushën e Vajkalit të Bulqizës,

ndonëse Ballabani u mund, ai arriti të kapte me pusi disa komandantë të ushtrisë shqiptare, ndër të cilët

edhe Moisi Arianitin (Golemin), të cilët u ekzekutuan mizorisht duke i rjepur të gjallë. Betejat e tjera u

zhvilluan në Oranik të Dibrës e në fushën e Vajkalit të Bulqizës dhe përfunduan me humbjen e forcave të

Ballabanit. Pas këtyre disfatave Ballaban Pasha mendoi t’i godiste forcat e Skënderbeut njëkohësisht me

dy ushtri dhe nga dy drejtime. Duke qenë në dijeni të këtij plani, Skënderbeu veproi me shumë shpejtësi

dhe arriti të shpartallonte në fushën e Vajkalit së pari ushtrinë e komanduar nga vetë Ballabani, dhe pas

saj, në fushën e Kasharit, ushtrinë e Jakup Beut, kur ishte në marshim. Pas këtyre betejave të

njëpasnjëshme, sulltan Mehmeti II mendoi se shqiptarët ishin shumë të lodhur dhe nuk do të mundnin të

përballonin goditjen vendimtare që ai kishte projektuar.

8 / 19

Mbrojtja heroike e Krujës gjatë rrethimeve II dhe III (1466 - 1467)

Në maj të vitit 1466 në krye të të gjitha forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, që arrinin 150 mijë

ushtarë, Mehmeti II iu drejtua viseve të lira shqiptare, duke ndjekur rrugën e vjetër Egnatia. Përballë

taktikës të përdorur nga Skënderbeu, sulltani e ndau ushtrinë e vet në dy pjesë: njëra, e pajisur me artileri

e me të gjitha mjetet e tjera të kohës rrethoi Krujën, mbrojtësit e të cilës i komandonte Tanush Topia,

kurse tjetra duhej të ndiqte e të asgjësonte ushtrinë shqiptare e çetat e shumta që luftonin jashtë mureve të

Krujës. Kudo që vepruan luftëtarët shqiptarë, si sulmues nën drejtimin e Skënderbeut, nëpër çeta ose si

mbrojtës të kështjellës, treguan trimëri e heroizëm të papërshkruar që la mbresa të pashlyera te

bashkëkohësit, duke përfshirë edhe armiqtë e tyre, pushtuesit osmanë. Pas më shumë se dy muaj

luftimesh të ashpra, sulltan Mehmeti II u bind se edhe këtë radhë Kruja nuk mund të pushtohej me forcën

e armëve. Prandaj vendosi ta mbante në një rrethim të gjatë, derisa uria t’i detyronte mbrojtësit e

pamposhtur të dorëzoheshin. Këtë detyrë ia ngarkoi disa dhjetëra mijë ushtarëve të komanduar nga

Ballaban Pasha. Për strehimin e tyre e kontrollin e rrugës që kalonte nëpër luginën e Shkumbinit, ai

rindërtoi dhe zgjeroi kështjellën e vjetër të Valmit, që i vuri emrin Ilbasan (Elbasan, d.m.th. vend që

sundon). Pas kësaj, në gusht të vitit 1466, kur pjesa më e madhe e trupave osmane me në krye sulltanin po

largohej, si hakmarrje për disfatën që pësoi, Mehmeti II pushtoi kështjellën e Qidhnës dhe të 10 mijë

njerëzit e strehuar aty i masakroi barbarisht. Prania e vazhdueshme e trupave osmane, që nga maji i vitit

1466, kishte bërë që gjendja ekonomike e vendit të ishte katastrofike. Për shkak të mungesës së

ushqimeve filloi emigrimi masiv i banorëve, sidomos në drejtim të Italisë. Uria ishte e pranishme kudo.

Duheshin siguruar ndihma në ushqime, armë etj. Për të përballuar gjendjen, Skënderbeu u kërkoi ndihmë

aleatëve. Në Venedik dërgoi të birin, kurse në nëntor të vitit 1466 u nis vetë për në Napoli e në Romë. Me

t’u njoftuar për ardhjen e tij, banorët e Romës vërshuan nëpër rrugët e saj si kurrë ndonjëherë për të parë e

përshëndetur heroin e lavdishëm shqiptar. Skënderbeu qëndroi gjatë në këto vende, deri në fund të marsit

të vitit 1467, por ndihmat që mori prej tyre ishin të pakta në krahasim me nevojat e vendit. Me t’u kthyer

nga Italia, Skënderbeu krijoi një ushtri të fortë dhe më 19 prill të vitit 1467 shpartalloi plotësisht trupat

osmane që po shkonin në përforcim të rrethuesve të Krujës dhe zuri rob komandantin e tyre, që ishte

vëllai i Ballabanit, Jonimën, bashkë me të birin. Pas katër ditësh, më 23 prill, ushtria shqiptare marshoi

me shpejtësi në drejtim të Krujës dhe në bashkëpunim me garnizonin e saj, sulmuan forcat rrethuese dhe i

shpartalluan ato plotësisht. Në këtë betejë, Ballaban Pasha u vra nga krutani Gjergj Aleksi. Pa kaluar një

muaj nga kjo fitore, në fund të majit të vitit 1467, sulltan Mehmeti II, me tërë potencialin ushtarak të

Perandorisë, u lëshua përsëri mbi Shqipërinë. Pas një beteje të ashpër me shqiptarët në luginën e

Shkumbinit, pranë Byshekut, ushtria osmane e rrethoi rishtazi Krujën. Edhe tani organizimi i luftimeve u

bë ashtu si gjatë rrethimit të dytë. I bindur se me forcën e armëve nuk mund të mposhtej qëndresa

shqiptare, sulltan Mehmeti II vendosi të përdorte në përmasa shumë më të gjëra se më parë, mjetin

ekstrem, shfarosjen masive të shqiptarëve. Ndonëse me mijëra shqiptarë u vranë dhe me mijëra të tjerë i

përfshiu një eksod i madh, sulltani nuk arriti të thyente vullnetin dhe qëndresën e një populli të tërë që

mbronte lirinë e vet. Në mbarim të verës, të rraskapitur dhe pa asnjë shpresë fitoreje, trupat osmane

morën rrugën e kthimit, të ndjekur këmba-këmbës nga luftëtarët shqiptarë. Për të shqyrtuar gjendjen e

vështirë në të cilën gjendej vendi prej rrënimeve që kishte bërë ushtria osmane gjatë viteve 1466 - 1467,

Skënderbeu thirri në janar të vitit 1468 kuvendin e princërve e të fisnikëve shqiptarë. Papritur ai u sëmur.

Ndërkohë, një ushtri osmane erdhi befasisht nga veriu. Pranë lumit të Kirit ajo u shpartallua nga shqiptarët, të

cilët për herë të parë luftuan pa komandantin e tyre. Më 17 janar 1468, në moshën 63 - vjeçare, në Lezhë, pushoi së

rrahuri zemra e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Humbja e tij shkaktoi një dhimbje të thellë

te të gjithë shqiptarët. I mbuluar me një lavdi të përjetshme, Skënderbeu u varros në katedralen e Shën Kollit, në atë

vend historik ku ai kishte mbledhur në kuvend princat e fisnikët shqiptarë.

Qëndresa e shqiptarëve të Moresë

Betejat fitimtare të Skënderbeut u bënë burim frymëzimi edhe për shqiptarët e Moresë (Peloponezit). Pas

pushtimit të Janinës (1430), ushtria osmane filloi të depërtonte edhe në viset më jugore të Ballkanit, si në

More, ku shumica e popullsisë ishte shqiptare. Që në sulmet e para osmane mbi këtë rajon të Ballkanit,

shqiptarët u dalluan si forca më aktive antiosmane. Për të shtypur qëndresën e fuqishme të tyre angazhuan

edhe vetë sulltanët osmanë, si Murati II, më 1444, dhe Mehmeti II, më 1458. Luftimet kryesore për

9 / 19

pushtimin e Moresë nga osmanët u bënë gjatë viteve 60. Në krye të ushtrive osmane, sulltan Mehmeti II,

që erdhi përsëri në prill të vitit 1460, pushtoi rajone të tëra të Moresë. Qëndresës së fuqishme shqiptare që

hasën kudo në More, pushtuesit iu përgjigjën me akte terrori masiv. Pasi morën kështjellën e Kastricës,

ushtritë osmane masakruan 300 mbrojtësit shqiptarë të saj, duke i therur, kurse komandantin e tyre, Primo

Kokën, e sharruan më dysh. Këto skena të tmerrshme u përsëritën në mënyrë edhe më makabre në

kështjellën e Gardhiqit. Pas rënies së saj në duart e ushtrisë së sulltan Mehmetit II, mbrojtësit dhe të 6

mijë banorët e strehuar aty, përfshirë gra dhe fëmijë të lidhur këmbë e duar, u therën në sheshin e

kështjellës, e cila u rrafshua. Gjatë fushatës së vitit 1460 ushtritë osmane pushtuan edhe shumë kështjella

të tjera si Kalavritën, Korintin etj., ku mbrojtësit dhe të strehuarit u masakruan. Me këtë fushatë Moreja u

pushtua nga osmanët. Vetëm një numër kështjellash si Koroni, Modoni, Argoni, Nauplani etj., mbetën

nën zotërimin e Venedikut, mbrojtja e të cilave iu besua luftëtarëve shqiptarë. Për pushtimin e këtyre

kështjellave vazhduan ekspeditat ushtarake osmane deri në fund të shek. XV. Dëshmi e qëndresës së

vendosur të shqiptarëve të Moresë dhe e qëndrimit të papajtueshëm me pushtuesit osmanë, ishte edhe

emigrimi i tyre masiv në Italinë e Jugut e në Sicili. Por edhe në vendbanimet e reja ata ruajtën ndër shekuj

kujtimet për ngjarjet e lavdishme të shek. XV dhe për Heroin Kombëtar, dëshmi kjo e lidhjeve të thella

shpirtërore që kishin pasur me luftën e shqiptarëve të udhëhequr nga Gergj Kastriotit - Skënderbeu.

VAZHDIMI I QËNDRESËS ANTIOSMANE PAS VDEKJES SË SKËNDERBEUT

Shqipëria pas vdekjes së Gergj Kastriotit -Skënderbeut. Rrethimi I i Shkodrës

(1474)

Vdekja e Gergj Kastriotit - Skënderbeut shkaktoi një tronditje në të gjithë Shqipërinë. Disa javë pas

humbjes së tij, e shoqja, Donika, dhe i biri 13 vjeçar, Gjoni, u përfshinë në eksodin e madh shqiptar dhe u

vendosën në pronat që kishin në Itali (Monte Sant Anxhelo dhe San Xhovani Rotondo). Humbja e

Skënderbeut, e këtij gjeniu, i hoqi botës shqiptare udhëheqësin e jashtëzakonshëm, personalitetin më të

lavdishëm të historisë kombëtare që kishte ndikuar fuqishëm në tërë veprimtarinë politike të vendit. Pas

vdekjes së tij filloi decentralizimi i jetës politike dhe familjet e mëdha shqiptare dolën përsëri si zotër më

vete. Ndërkohë pozitat e Venedikut në Shqipëri u forcuan aq shumë, sa edhe Kruja kaloi nën zotërimin e

tij. Më 15 maj 1474 ushtritë osmane rrethuan kështjellën e Rozafës dhe në fillim të qershorit erdhën forca

të tjera me në krye bejlerbeun e Rumelisë, Sinan Pashën. Numri i përgjithshëm i ushtarëve osmanë arriti

deri në 80 mijë veta. Rreth dy mijë veta (banorë të qytetit, të rrethinave, luftëtarë të krahinave të tjera dhe

ushtarët e një garnizoni të vogël venedikas) nën drejtimin e Anton Loredanit, qeveritarit venedikas të

Shkodrës, mbronin kështjellën e Rozafës, në të cilën ishin strehuar edhe një mijë banorë të paaftë për

luftë. Mbrojtësit e kështjellës ndihmoheshin edhe nga luftëtarë që vepronin në rrethinat e saj dhe në vise

të tjera më të largëta. Gjatë muajit korrik mbrojtësit e kështjellës zmbrapsën me heroizëm sulmet e

njëpasnjëshme të trupave osmane. Në fillim të gushtit, pasi lanë me mijëra të vrarë në fushën e luftës,

ushtritë osmane filluan të largoheshin nga tokat e lira shqiptare.

Rënia e Krujës, e Lezhës, e Shkodrës dhe e kështjellave të tjera

Më 1476 osmanët filluan rrethimin e katërt të Krujës. Në pranverë të vitit 1478 erdhi i gjithë potenciali

ushtarak i Perandorisë Osmane, mbi 150 mijë ushtarë, me në krye sulltan Mehmetin II. Pasi përforcuan

ushtrinë, që mbante të rrethuar Krujën, trupat osmane iu drejtuan Shkodrës. Pas një rrethimi dyvjeçar, dhe

të mbetur pa asnjë lloj ushqimi, mbrojtësit e Krujës dorëzuan kështjellën pas premtimit të sulltanit se do

t’i linte të lirë. Më 16 qershor 1478, turqit hynë në kështjellë dhe vranë të gjithë meshkujt, kurse gratë dhe

fëmijët i kthyen në skllevër. Pranë kështjellës Rozafa të Shkodrës, trupat osmane derdhën mbi dhjetë

topa, shumë më të fuqishëm se ata të rrethimit të parë, me të cilët goditën e dëmtuan muret e saj.

Mbrojtësit e kështjellës, në radhët e të cilëve luftonin edhe gratë, i zbrapsën sulmet e vazhdueshme të

trupave osmane që vazhduan deri në fillim të gushtit. Ndërkohë në brigjet veriore të liqenit të Shkodrës

ushtritë osmane pushtuan kështjellën e Zhabiakut, në verilindje të Shkodrës kështjellën e Drishtit dhe në

jug të saj, atë të Lezhës. Mbrojtësit shqiptarë të Drishtit e të Lezhës, të zënë robër nga trupat osmane, u

masakruan pranë mureve të Rozafës që të ligështonin mbrojtësit e saj. Pas pushtimit të këtyre

kështjellave, sulltani me pjesën më të madhe të ushtrisë, u largua nga Shkodra në fillim të shtatorit, kurse

10 / 19

pjesën tjetër e la që të vazhdonte rrethimin e saj. Ndërkaq, më 25 janar 1479, Venediku nënshkroi me

sulltan Mehmetin II tarktatin e paqes, në bazë të të cilit turqit morën Shkodrën, dhe në bregdetin jugor të

Shqipërisë, kështjellat e Himarës, të Sopotit (Borshit) dhe të Strivilit (në Çamëri). Rënia e Krujës, e

Shkodrës, e Lezhës dhe e kështjellave të tjera gjatë viteve 1478 - 1479 u shoqërua me një valë të madhe

emigrimi.

Kthimi në Shqipëri i pasardhësve të Skënderbeut dhe i princave të tjerë

shqiptarë

Pas pushtimit të Krujës, të Shkodrës, të Lezhës dhe të kështjellave të tjera shqiptare, sulltan Mehmeti II

filloi përgatitjet për pushtimin e Italisë. Në pranverë të vitit 1480 trupat osmane pushtuan kështjellën e

Otrantos në Itali. Pas vdekjes së sulltan Mehmetit II në maj 1481, ndërmjet djemve të tij shpërtheu lufta

për fronin. Kjo situatë nxitit qëndresën antiosmane në viset shqiptare. Në fillim të verës 1481 në Shqipëri

u kthyen disa nga princat që kishin emigruar gjatë eksodit të madh, si Nikollë e Lekë Dukagjini dhe më

pas, Gjon Kastrioti dhe Kostandin Muzaka. Gjon Kastrioti dhe fisnikët e tjerë u pritën nga kryengritësit

shqiptarë si trashëgimtarë legjitimë. Me ardhjen e tyre lufta antiosmane mori hov më të madh. Shpërthimi

i kryengritjeve të fuqishme në rajone të gjera shqiptare e detyroi Sulejman Pashën të ndërpriste misionin e

trupave osmane që, të vendosura në Vlorë, përgatiteshin të kalonin në Itali, dhe t’i përdorte ato për

shtypjen e kryengritjeve shqiptare. Në fillim Sulejman Pasha i drejtoi ato kundër forcave të Gjon

Kastriotit. Ndonëse në betejën e parë shqiptarët u mundën ata nuk e humbën besimin. Rreth Gjon

Kastriotit u bashkuan me mijëra luftëtarë shqiptarë, të cilët në një betejë të dytë, të zhvilluar gjatë gjysmës

së parë të gushtit 1481, shpartalluan plotësisht ushtrinë osmane. Po në atë kohë luftëtarët shqiptarë të

krahinës së Himarës e të Kurveleshit, me Kostandin Muzakën në krye, rrethuan kështjellën e Himarës e të

Sopotit. Në krye të 3 mijë vetave u nis kundër tyre vetë Sulejman Pasha. Por forcat osmane u shpartalluan

plotësisht, duke lënë mbi 1 mijë të vrarë e robër, ndër të cilët edhe Sulejman Pashën, të cilin himariotët ia

dorëzuan si trofe lufte Gjon Kastriotit. Pas shpartallimit të ushtrive osmane, nga 31 gushti deri më 10

shtator, u çliruan në Shqipëri kështjella e Himarës dhe e Sopotit, kurse në Itali ajo e Otrantos, duke i

dëbuar përfundimisht ushtritë osmane nga Gadishulli Apenin. Ndonëse Krujën nuk e morën dot, forcat e

Gjon Kastriotit arritën të çlironin zotërimet e Kastriotëve. Në janar të vitit 1484 trupat e Gjonit

shpartalluan një ushtri osmane, por qëndresa e shqiptarëve filloi të dobësohej, sepse Mbretëria e Napolit

nënshkroi paqe me turqit në vitin 1483 dhe nuk e mbështeti më Gjon Kastriotin, i cili më 1484 u largua

nga Shqipëria për në Itali. Përpjekje për rimëkëmbjen e Principatës së Kastriotëve u bënë edhe nga djali i

Gjonit, Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Skënderbeu i Ri. Në shtator të vitit 1499 banorët e krahinave rreth

Lezhës u hodhën në kryengritje dhe kërkuan që në krye të tyre të vihej nipi i Heroit Kombëtar,

Skënderbeu i Ri. Mëse një vit qëndroi në Venedik Skënderbeu i Ri në pritmëri. Vetëm më 1501, pasi

ushtritë osmane sulmuan Durrësin, Senati i Venedikut lejoi nisjen e Skënderbeut të Ri dhe të 150 - 200

luftëtarëve të tij për t’i transportuar në ishullin e Lezhës, që e kishin çliruar shqiptarët. Në gusht të vitit

1501 turqit e pushtuan Durrësin dhe pas nënshkrimit të traktatit të paqes me ta, në dhjetor të vitit 1502,

Venediku i braktisi krejtësisht luftëtarët shqiptarë. Në kushte të tilla kryengritja erdhi duke u shuar, dhe

pas një qëndrimi dyvjeçar, në shkurt të vitit 1503, Skënderbeu i Ri u largua nga Shqipëria.

Këto kryengritje mbyllën periudhën e luftës së gjatë mëse njëshekullore të shqiptarëve kundër pushtuesve

osmanë për të mbrojtur lirinë dhe jetën e pavarur politike.

Eksodi i madh shqiptar i shek. XV

Gjatë gjithë periudhës së luftës së shqiptarëve kundër pushtimit osman, për shkak të dhunës, të

shkatërrimeve dhe për të mos iu nënshtruar sundimit të huaj, në jetën shqiptare u shfaq dukuria e

braktisjes masive të vendit. Masakrat e pushtuesve osmanë bënë që emigracioni të përfshinte të gjitha

shtresat shoqërore. Shqiptarët emigruan kryesisht në Itali. Valët më të fuqishme të emigrimit të

shqiptarëve gjatë kësaj periudhe ishin: në fund të shek. XV gjatë pushtimeve të para osmane; më 1415-

1417 gjatë pushtimit të disa kështjellave të viseve bregdetare; më 1466-1467 gjatë rrethimit II dhe III të

Krujës; pas vdekjes së Skënderbeut (1468); pas rënies së Krujës, të Shkodrës (1478-1479) etj. Në mënyrë

masive emigruan shqiptarët edhe nga vendbanimet e tyre të Moresë (Peloponezit), si gjatë viteve 60,

ashtu edhe më pas. Emigrantë të shumtë shqiptarë u vendosën në të gjitha viset bregdetare lindore të

11 / 19

Gadishullit Apenin, nga rajonet e Venedikut e deri në ekstremet jugore të tij. Numri i tyre arrinte në rreth

200 mijë veta. Shumica e tyre u vendosën në Mbretërinë e Napolit dhe rreth 100 mijë veta në krahinat e

Kalabrisë e të Sicilisë, ku, duke qenë një masë kompakte, e ruajtën deri në ditët tona identitetin e tyre dhe

ndjenjën e krenarisë kombëtare për ngjarjet e lavdishme të shek. XV dhe Gjergj Kastriotin - Skënderbeun.

Valët e këtij eksodi përfshinë edhe njerëzit e kulturës si: Marin Barleci, Marin Beçikemi, Dhimitër Frëngu

e shumë të tjerë, të cilët me veprimtarinë e tyre dhanë një ndihmesë të shquar në kulturën shqiptare dhe

italiane të kohës.

RËNDËSIA E EPOKËS SË GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBEUT

Rrjedhojat e luftës dhe të pushtimit osman

Lufta njëshekullore e ushtrive osmane për pushtimin e tokave shqiptare (fundi i shek. XIV- fundi i shek.

XV) dhe vendosja në to e sundimit osman sollën rrjedhoja të rënda si në jetën ekonomike, shoqërore e

politike, ashtu edhe në atë fetare e kulturore të shqiptarëve. Vërshimet e njëpasnjëshme të ushtrive

osmane dhe veprimet luftarake u shoqëruan me vrasjen e shumë njerëzve dhe me rrënime e grabitje

masive të pasurisë. Shqipëria pësoi kështu dëme të pallogaritshme njerëzore e materiale, pasojat e të

cilave do të ndiheshin për një kohë të gjatë. U godit rëndë veçanërisht jeta qytetare. Zejtaria dhe tregtia e

brendshme dhe e jashtme thuajse u paralizuan. Qytetet shqiptare, dikur të përparuara për kohën, morën

tiparet e fshatit. U shkatërruan në themel strukturat organizative të qyteteve dhe, nga emigrimi masiv i

banorëve të tyre, u shua jeta kulturore që kishte qenë aq e zhvilluar në to. Edhe fshati u dëmtua rëndë.

Përveç dëmeve të bujqësisë e të blegtorisë shqiptare, emigrimi masiv përfshiu pjesën më aktive të

banorëve të fshatit. U dobësuan shumë lidhjet e ekonomisë fshatare me qytetin, aq të domosdoshme për

zhvillimin ekonomik. Pushtimi osman i dha fund jetës së pavarur politike e shtetërore të shqiptarëve që

ishte arritja më e rëndësishme në gjithë historinë e deriatëhershme të tyre dhe që kishte ndikuar fuqishëm

në zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Ndryshimet që ndodhën në fushën e pronësisë përcaktuan

prapambetjen e thellë ekonomike të Shqipërisë gjatë shekujve të sundimit osman. Pushtimi osman

shkatërroi formën e përparuar të pronës feudale mbi tokën, të bazuar mbi të drejtën e pakufizuar të

shitblerjes së saj. Ai shkatërroi pronën e madhe feudale dhe vendosi e mbajti në këmbë me dhunë për

shekuj të tërë sistemin e timarit, një formë e kapërcyer e pronës feudale ushtarake që parapërcaktoi

prapambetjen e gjithanshme të vendit. Duhej të kalonin shekuj që në Shqipëri të rishfaqej prona e madhe

feudale (çifligu), ndërkohë që në Europën Perëndimore do të zhvillohej prona kapitaliste.

Rëndësia e luftës antiosmane

Lufta njëshekullore e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë, veçanërisht epopeja e tyre legjendare nën

udhëheqjen e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë

kombëtare. Ajo mbrojti lirinë e një pjese të madhe të viseve shqiptare për dekada të tëra dhe frymëzoi

banorët e viseve të paçliruara të vazhdonin me kurajo luftën për dëbimin e pushtuesit të huaj. Ajo pati

gjithashtu një varg rrjedhojash shumë të rëndësishme për historinë tonë kombëtare. Lufta kundër

pushtuesit osman u zhvillua nën një udhëheqje të vetme, të Skënderbeut, dhe në të morën pjesë aktive të

gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, pa dallime krahinore e fetare. Prandaj ajo ndikoi fuqishëm në

kompaktësimin e shqiptarëve dhe në forcimin e unitetit kombëtar të tyre, kudo që ata banonin, duke

përfshirë edhe banorët e viseve të largëta që kishin mbetur jashtë shtetit të Skënderbeut. Dëshmi e gjallë

për këtë janë legjendat, tregimet dhe këngët popullore për figurën e heroit, të cilat ende ruhen te shqiptarët

katolikë, ortodoksë e myslimanë të të gjitha viseve shqiptare, madje edhe jashtë atdheut, si tek arbëreshët

e Italisë. Forcimi i unitetit kombëtar në luftë kundër pushtuesit të huaj, bëri të mundur që për herë të parë

të përfshiheshin në një shtet të vetëm, në atë të Skënderbeut, të gjitha principatat e viseve të lira jo

nëpërmjet rrugës së konflikteve të armatosura, por nëpërmjet marrëveshjeve. Ky shtet krijoi një traditë të

rëndësishme të jetës shtetërore shqiptare, e cila u mbajt gjallë në kujtesën e shqiptarëve dhe u

propagandua gjatë shekujve pasardhës. Lufta kundër pushtimit osman kaliti guximin, trimërinë dhe

heroizmin masiv të shqiptarëve, të cilat u bënë tipare dalluese të tyre. Epopeja e shek. XV la gjurmë të

pashlyeshme në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve. Ajo u shndërrua në simbol krenarie për të kaluarën

e lavdishme historike dhe shërbeu si burim i pashtershëm frymëzimi për bashkimin e shqiptarëve në

12 / 19

luftën për rifitimin e lirisë dhe në përpjekjet e tyre për formimin e shtetit kombëtar. Lufta e shqiptarëve

kundër pushtuesve osmanë pati rëndësi të veçantë edhe në rrafshin ndërkombëtar. Duke gozhduar për

dhjetëra vjetë me radhë në tokat shqiptare ushtritë e Perandorisë Osmane, kur ajo ishte në kulmin e fuqisë

së vet, shqiptarët me luftën e tyre u bënë një barrierë e fuqishme që penguan vërshimin osman në drejtim

të Italisë, duke mbrojtur kështu lirinë e vendeve të Europës Perëndimore dhe zhvillimin e përparimin e

gjithanshëm të tyre. Kjo luftë e bëri të njohur Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, i zgjeroi dhe i forcoi

lidhjet e saj me vendet europiane. Qëndresa antiosmane e shqiptarëve u vlerësua lart në opinionin

bashkëkohor të Europës dhe u cilësua gjatë shekujve si shembull i luftës për liri, siç e dëshmojnë dhjetëra

e dhjetëra vepra shkencore dhe artistike, të botuara në gjuhë e në vende të ndryshme të botës, kushtuar

figurës së Skënderbeut dhe luftës së udhëhequr prej tij, si dhe monumentet e heroit shqiptar të ngritura në

sheshet e qyteteve europiane.

Epoka e Gergj Kastriotit - Skënderbeut në veprat e Marin Barlecit dhe të

autorëve të tjerë shqiptarë bashkëkohës

Epopeja shqiptare e shek. XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ndikuan fuqishëm në jetën

shpirtërore të shqiptarëve edhe për rritjen e vetëdijes së tyre kombëtare. Të frymëzuar prej tyre,

intelektualë të shquar shqiptarë i pasqyruan e i përjetësuan ato në vepra historike monumentale, me të

cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare. Në fillim të shek. XVI (1504) Marin Barleci botoi latinisht

veprën kushtuar luftës heroike të shqiptarëve për mbrojtjen e Shkodrës (Rrethimi i Shkodrës). Por vepra

që e lartësoi figurën e tij si historian humanist është ,,Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut’’, të

cilën e botoi latinisht në Romë rreth viteve 1508 - 1510. Kjo vepër voluminoze njohu shumë ribotime në

gjuhë e në vende të ndryshme të Europës. Veprat e M. Barlecit u bënë burimi më i rëndësishëm ku

patriotët shqiptarë mësonin historinë e epopesë legjendare të shek. XV. Periudha e Skënderbeut u

përjetësua edhe në vepra të tjera historike nga bashkëkohësit e heroit. Një nga bashkëpunëtorët e ngushtë

të Skënderbeut, Dhimitër Frëngu, shkroi latinisht, në frymën e ideve humaniste të kohës, një vepër për

jetën e Skënderbeut. Me disa ndryshime të vogla ajo ndjek rrëfimin e ,,Historisë së Skënderbeut’’ të M.

Barlecit, që dëshmon se kjo vepër kishte pasqyruar drejt realitetin historik të njohur e të pranuar edhe nga

bashkëluftëtarët e afërt të Skënderbeut. Vepra e Dh. Frëngut u botua pas vdekjes së tij e përkthyer italisht

dhe njohu shumë ribotime në këtë gjuhë. Një vepër tjetër e rëndësishme për të njohur shoqërinë shqiptare

të shek. XV është ,,Historia dhe gjeneologjika e shtëpisë së Muzakajve’’, shkruar në italisht më 1510 nga

bashkëluftëtari i Skënderbeut Gjon Muzaka. Ajo mbeti në dorëshkrim dhe, për vlerën që ka për historinë

mesjetare shqiptare, botuesi i saj i shek. XIX me të drejtë e ka quajtur atë si një ,,margaritar’’.

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu - Hero Kombëtar

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu (1405 - 17 janar 1468) sintetizon një epokë të tërë historike që mori emrin e

tij: luftën njëshekullore kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV - fundi i shek. XV). Nën udhëheqjen e

tij, lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë më të lartë e më të organizuar dhe shënoi një kthesë

vendimtare në zhvillimin politik të Shqipërisë. Gjergj Kastrioti - Skënderbeu ishte përfaqësuesi më

konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së

shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai realizoi bashkimin e parë politik të shqiptarëve, Lidhjen

Shqiptare të Lezhës, e cila hapi rrugën e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, themelues i të cilit u bë ai

vetë. Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, tek të cilat u

mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug, ai u dha mundësi banorëve të

viseve të lira të zhvillonin një veprimtari ekonomike deri diku normale. Krahas mbrojtjes së vendit,

Skënderbeu i kushtoi vëmendje çlirimit të viseve të pushtuara, që ndikoi në forcimin e mëtejshëm të

lidhjeve me banorët e këtyre viseve dhe në forcimin e bashkimit të të gjithë popullit shqiptar. Aftësitë e

Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Duke e pasur të qartë se

rrezikut osman mund t’i bëhej ballë me sukses vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu kërkoi pareshtur

pjesëmarrjen e vendeve europiane në luftën kundër armikut të përbashkët. Në kushtet e pabarazisë së

theksuar ndërmjet forcave osmane dhe atyre shqiptare, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij

ushtarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve. Ai e

mbante armikun në alarm të përhershëm, i priste rrugët e furnizimit dhe pasi e kishte futur në kurth, e

13 / 19

godiste me sulme të fuqishme e të befasishme. Skënderbeu u shndërrua në simbol të luftës për liri e

pavarësi. Ai mbeti një figurë e dashur për shqiptarët edhe pas vdekjes së tij. Kujtimi i tij mbeti gjithnjë i

gjallë nëpër këngët, gojëdhënat e tregimet e shumta popullore që i dhanë atij tiparet e një figure

legjendare.Vepra dhe figura e Skënderbeut kishin përmasa dhe rëndësi europiane. Ai u vlerësua lart nga

personalitetet e shquara europiane të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti se për Skënderbeun është shkruar

një literaturë e shumëllojtë, prej qindra e qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë dhe në të katër anët

e botës.

ORGANIZIMI ADMINISTRATIV OSMAN NË SHQIPËRI

Organizimin më të hershëm administrativ të Shqipërisë, të bërë nga pushtuesit osmanë, e njohim

nëpërmjet regjistrimit të vitit 1431 - 1432 dhe vetëm për një pjesë të viseve shqiptare. Sipas këtij

regjistrimi osman, u formua Sanxhaku shqiptar me kryeqendër Gjirokastrën. Sanxhaku ishte njësi feudaleadministrative

më vete, që varej drejtpërsëdrejti nga administrata qendrore e Perandorisë. Në krye të

sanxhakut ishte sanxhakbeu, komandant i ushtrisë së sanxhakut. Pranë tij ishte kadiu, i cili kryente

funksionet administrative civile, gjyqësore e fetare. Sanxhaku ishte i ndarë në njësi më të vogla, në

vilajete (që më pas u quajtën kaza) dhe këto, në disa raste, në njësi edhe më të vogla, në nahije. Në krye të

vilajetit ishte subashi, komandant ushtarak i ushtrisë së vilajetit, dhe pranë tij ishte kadiu.

Nga të dhënat e regjistrit të vitit 1431-1432 (i cili nuk është i plotë, prandaj edhe kryeqendra e sanxhakut

del në zonën më jugore të tij dhe kjo presupozon se edhe vise të tjera shqiptare më në jug duhet të ishin

përfshirë në të) del se Sanxhaku Shqiptar përfshinte Çamërinë dhe vise të tjera deri në brigjet e lumit Mat.

Vilajetet e tij ishin: 1.Vilajeti i Gjirokastrës; 2.i Këlcyrës; 3.i Kaninës; 4. i Beratit; 5. i Tomoricës; 6. i

Skraparit; 7. i Pavël Kurtikut (viset që shtriheshin kryesisht në të djathtë të rrjedhës së mesme e të

poshtme të lumit Shkumbin); 8. i Çartallozit (viset që shtriheshin në të majtë të rrjedhës së lumit

Shkumbin deri te lumi i Devollit); 9. i Krujës; 10. i Përmetit dhe 11. Vilajeti i Korçës. Vilajetet ishin të

ndara në prona feudale ushtarake, në timare, që formoheshin nga shumë fshatra, nga një fshat ose nga një

pjesë të një fshati. Sipas madhësisë që kishin, këto prona emërtoheshin timare, ziamete dhe hase. Feudali

që zotëronte timarin quhej spahi ose timarli. Ai që mbante këtë pronë me kusht që të shkonte vetë në luftë

si kalorës dhe kur prona ishte e madhe, në varësi të saj, duhej të merrte një numër të caktuar ushtarësh

xhebelij. Kur nuk shkonte në luftë, spahiu e humbiste timarin dhe kur dallohej në të, ai mund të merrte një

timar më të madh. Toka konsiderohej pronë e shtetit (mirie), prandaj spahiu nuk mund ta shiste e ta blinte

timarin dhe as ta trashëgonte. Kurse fshatari, me lejen e spahiut, mund ta shiste tokën duke i dhënë spahiut

taksën e tapisë. Fshatari i paguante spahiut të dhjetën (yshyri) për çdo prodhim të tokës e veprimtari tjetër

ekonomike. Krahas së dhjetës, fshatari paguante taksën për familje (ispenxha) dhe gjobat e ndryshme

(nijabeti). Kurse ndaj shtetit paguhej nga të gjithë banorët detyrimi për Këshillin e Lartë të Shtetit (avarizi

divan), taksa e bagëtive (xhelepi) dhe vetëm të krishterët paguanin taksën e nënshtrimit (xhizjen).

USHTRIA OSMANE

Në kohën e sulltan Osmanit (1282-1326) u krijua ushtria e spahinjve (kalorësve), e përbërë prej klasës

feudale osmane. Pasardhësi i tij, sulltan Orhani (1326-1360), krijoi korpusin e jeniçerëve (ushtri e re), të

përbërë nga ushtarë të stërvitur që në vegjëli me artin ushtarak në shkolla të veçanta dhe të edukuar me

frymën e luftëtarëve pushtues. Krahas tyre ishin edhe repartet e akënxhijve (sulmuesve) që

grumbulloheshin kur kishte luftë për pushtime të reja. Ata pasuroheshin duke grabitur pasuri dhe njerëz

(fëmijë e të rritur) që i shisnin pastaj nëpër tregjet e veçanta të Perandorisë Osmane.

GJON MUZAKA PËR BETEJËN E FUSHË KOSOVËS (1389)

(Nga vepra e tij ,Gjinealogji e familjes Muzaka’’ 1510) ,,...E pastaj Murati iu turr Serbisë e Bullgarisë, por

Llazari, despoti i Serbisë, Markoja, mbreti i Bullgarisë, Teodor Muzaka, pinjolli i dytë i shtëpisë sonë, e

bashkë me të sundimtarë të tjerë të Shqipërisë, u ndeshën me turqit. Aty u thyen të krishterët e mbeti i

vrarë edhe Teodori ynë, që kishte sjellë me vete një ushtri të madhe me shqiptarë. Po aty u zu rob Llazari i

Serbisë që më vonë turqit e vranë. Paskëtaj filluan luftërat e paprera të turqve në Shqipëri, në të cilat

humbën jetën aq shumë bujarë e luftëtarë trima’’.

Pjesë nga fjala e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut më 28 Nëntor 1443, mbajtur para banorëve të Krujës

14 / 19

(sipas M. Barlecit, ,,Historia e Skënderbeut’’ ,, ... Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta këtu! Sapo më shkeli

këmba truallin tuaj, sapo dëgjuat emrin tim, m’u derdhët me vrap të gjithë, më dualët përpara kush e kush

më parë, sikur të kishit dëgjuar se u ngritën nga varret etërit, vëllezërit, bijtë tuaj, sikur të kishin zbritur

këtu gjithë perënditë ... Armët nuk ua solla unë, por ju gjeta të armatosur! Lirinë e pashë se e keni kudo,

në krahëror, në ballë, në shpatat e në ushtat’’.Ushtria shqiptare dhe arti i saj ushtarak.

Në Kuvendin e Lezhës u vendos që me ndihmesën e pjesëmarrësve të tij të krijohej një ushtri e

përbashkët. Bërthamën kryesore të saj e formuan luftëtarët që i mobilizonte vetë Skënderbeu, i cili ishte

komandant i përgjithshëm i ushtrisë. Në fillim forcat e Lidhjes Shqiptare kishun karakter federal, sepse

princat shqiptarë mbanin një numër të ndjeshëm forcash ushtarake jashtë ushtrisë së përbashkët. Ushtria

shqiptare përbëhej nga trupat e përhershme dhe nga luftëtarët që mobilizoheshin vetëm gjatë kohës së

luftës.Trupat e përhershme ishin ndarë në dy pjesë kryesore. Njëra përbëhej prej 2 - 3 mijë kalorësve të

armatosur lehtë,të cilët i stërviste Skënderbeu dhe shërbenin si gardë personale e tij. Pjesa tjetër ruante

kështjellat e vendit dhe brezin kufitar në viset lindore. Masën kryesore të ushtrisë shqiptare e formonin

luftëtarët që mobilizoheshin gjatë kohës së luftës, sipas parimit ,,burrë për shtëpi’’. Kur rreziku ishte i

madh, mobilizoheshin të gjithë banorët që mund të luftonin.Në rast mobilizimi të përgjithshëm , forcat

ushtarake shqiptare arrinin nga 20-30 mijë luftëtarë, duke formuar një ushtri të madhe për kohën.

Komanda e ushtrisë ishte në dorën e Skënderbeut, që ishte komandant i përgjithshëm. Për t’u konsultuar

gjatë veprimeve ushtarake, pranë tij qëndronte Këshilli i luftës, i përbërë nga komandantët më të shquar,

të cilët zakonisht dilnin nga radhët e fisnikëve. Në plan strategjik, si detyrë e dorës së parë për forcat

ushtarake ishte moslejimi i trupave osmane që të futeshin në brendësi të viseve të lira për të grabitur e

shkatërruar vendin. Këtij qëllimi i shërbente sistemi mbrojtës i brezit kufitar, të cilit iu kushtua kujdes i

veçantë. Kur trupat osmane arrinin të futeshin në thellësi të vendit dhe rrethonin Krujën, Skënderbeu i

organizonte veprimet luftarake në mënyrë të tillë që pesha kryesore e veprimeve luftarake të binte jo mbi

mbrojtësit e kështjellës, por mbi luftëtarët që vepronin jashtë saj, me të cilët qëndronte vetë heroi.

Variantet taktike që përdorte Skënderbeu për të shpartalluar ushtritë armike ishin të larmishme e

mbështeteshin në bashkërendimin e mbrojtjes me sulmin, e mësymjes së ushtrisë së rregullt me goditjen e

çetave, e ndeshjeve ballore me ato të pusive, duke futur në përdorim si këmbësorinë, ashtu edhe

kalorësinë e armatosur lehtë. Vëmendje Skënderbeu i kushtoi edhe prerjes së rrugëve të furnizimit të

ushtrisë armike, duke sulmuar karvanet e furnizimit të saj me ushqime e sende të tjera të nevojshme. Ai i

kushtoi kujdes edhe organizimit të zbulimit për sigurimin e të dhënave me karakter strategjik, operativ e

taktitk që kishin të bënin me kohën e ardhjes së ushtrive armike, madhësinë, organizimin, lëvizjen,

veprimet luftarake të tyre etj. Zbuluesit i paraprinin ushtrisë shqiptare, kur ajo futej në viset e pushtuara,

dhe ata gjendeshin kudo, në krahinat fqinje e deri në qendër të Perandorisë Osmane.

Beteja e Torviollit (29 qershor 1444)

I vetmi burim që jep të dhëna për këtë betejë është Marin Barleci. Ai tregon se beteja u zhvillua në një

fushë të Dibrës së poshtme. Historianët e mëvonshëm e kanë emërtuar atë si ,,Beteja e Torviollit’’ dhe si

datë të saj kanë vënë 29 qershorin e vitit 1444.Sipas Barlecit, ushtria osmane e Ali Pashës numëronte 25

mijë ushtarë, kurse ushtria shqiptare kishte 8 mijë kalorës dhe 7 mijë këmbësorë. Beteja u zhvillua në

formacion të rregullt luftimi. Skënderbeu e vendosi ushtrinë shqiptare në fushë të hapur, në formë harku,

të ndarë në tri grupime. Në radhën e parë të çdo grupimi vendosi kalorësinë dhe pas tyre këmbësorinë. Për

të drejtuar zhvillimin e betejës, ai qëndronte me luftëtarët e grupimit të qendrës. Forcat e grupimit të

djathtë i komandonte Moisi Arianiti, kurse ata të grupimit të majtë Tanush Topia. Pas trupave të qendrës

ishin vendosur edhe dy grupime luftëtarësh nën drejtimin e Ajdin Muzakës dhe të Vrana Kontit.Beteja

filloi me sulmin e luftëtarëve shqiptarë të dy grupimeve anësore, të cilët u përpoqën ta ndanin ushtrinë

osmane në dy pjesë, në kohën kur forcat e grupimit të qendrës, me Skënderbeun në krye, sulmonin trupat

e Ali Pashës. Kur armiku ende nuk i kishte hedhur në betejë të gjitha forcat, u sulmua nga pas prej

luftëtarëve të Gjin Muzakës e të Hamza Kastriotit, të fshehur në pyjet aty pranë.E goditur nga të gjitha

anët, së fundi edhe nga forcat e freskëta shqiptare të rezervës të komanduara nga Vrana Konti, ushtria e

Ali Pashës u shpërnda plotësisht. Osmanët lanë në fushën e betejës me mijëra të vrarë e robër.

15 / 19

PËRGËZIME PËR MBROJTJEN E KRUJËS MË 1450

,,Nuk gjejmë fjalë të mjaftueshme për të lavdëruar ose për të admiruar madhështinë e pabesueshme të

shpirtit tuaj, urtësinë dhe burrërinë tuaj të pashoqe... Ju qëndruat me forca të pakta kundër një armiku të

panumërt turqish ... Qofshi pasqyrë e shembull për të gjithë princat, për të gjithë popujt!’’ Pjesë nga një

letër e Senatit të Raguzës drejtuar Skënderbeut.

SHTETI I GERGJ KASTRIOTIT - SKËNDERBEUT

Kërcënimi i vazhdueshëm osman ndikoi që në procesin e formimit të një shteti të vetëm shqiptar në të

gjitha viset e lira (që shtriheshin nga rrjedhja e lumenjve Devoll e Seman në jug, deri në Malësinë e

Dukagjinit në veri, e nga brigjet e detit Adriatik në perëndim deri përtej Drinit të Zi në lindje) të

veproningjithnjë e më shumë faktorët e mirëkuptimit dhe të interesit të përbashkët. Në këtë drejtim

ndikonin pozitivisht lidhjet martesore ndërmjet familjeve fisnike, dukuri kjo mjaft e njohur në shoqërinë

feudale. Martesa të tilla me karakter politik ishin bërë që në kohën e Gjon Kastriotit, i cili vetë ishte i

martuar me Vojsavën, familja e së cilës jetonte në viset lindore shqiptare, në krahinën e Pollogut. Po

kështu, motrat e Skënderbeut u martuan me familjet më të fuqishme shqiptare të kohës : Mara me Stefan

Gojçinin (Cernojeviçin) e Zetës, Vllajka me Gjon Muzakën, Angjelina me vëllanë e Gjergj Arianitit,

Vlendan Arianiti, dhe Jella me Pal Stres-Balshën. Skënderbeu, nga ana e tij, bëri lidhje të tjera martesore.

Vetë u martua me Donikën, vajzën e Gjergj Arianitit, kurse të motrën, Mamicën, e martoi me Muzak

Topinë. Shteti shqiptar i Skënderbeut personifikonte bashkimin e familjeve të mëdha shqiptare, jo vetëm

nëpërmjet lidhjeve martesore, por edhe nëpërmjet simboleve shtetërore, që lidheshin me ta dhe me

traditën e lashtë kombëtare. Kështu, krahas evokimit të lavdisë së epirotëve(sinonim i emrit arbër),

Skënderbeu përdori simbolin e njohur të Pirros së Epirit, përkrenaren e zbukuruar me një kokë dhije,

kurse në vulën zyrtare të heroit shqiptar dhe në stemën e Kastriotëve, u përdorën si simbole shqiponja

dykrenare, që e kishin Muzakajt, dhe ylli me gjashtë cepa, që e kishte Principata e Balshajve. Nëpërmjet

këtyre simboleve shprehej uniteti i viseve të lira shqiptare nga jugu (shqiponja dykrenare e Muzakajve)

deri në veri (ylli gjashtëcepash i Balshajve) dhe duke përdorur flamurin e Perandorisë Bizantine (fushën e

kuqe me shqiponjën e zezë dykrenare në mes), tregohej se pas pushtimit të Kostandinopojës prej turqve

më 1453, shqiptarët ishin forca kryesore antiosmane në Ballkan, që dikur ishin përfshirë në Perandorinë

Bizantine.

Nga letra e Skënderbeut e 31 tetorit 1460 dërguar princit të Tarentit, Johanes Antonius de Ursinis ,,Fort i

kthjellti princ e zot i nderuar, Mora letrën e zotit Tuaj e cila më çuditi më fort se sa do më hidhëronte,

duke parë mënyrën me të cilën ju shkruani. Dhe më së pari thoni, që kur keni marrë lajmin se ne i paskemi

dërguar fjalë fort të kthjelltit Madhëri, mbretit Ferrant (Ferdinand) se po të na dërgonte galera ne do të

kishim ngarkuar në to njerëz që të shkonin për t’i dhënë zjarr Brindizit edhe për të plaçkitur vendin tuaj,

nuk paskeni mundur ta besoni, mbasi më njihni për të urtë e të matur ... Kur morëm vesh se ju kishit

ngritur krye kundër Madhërisë së tij,i çuam fjalë që të na dërgonte në këto anë galera dhe anije të tjera për

të marrë njerëz, këmbësorë e kalorës, sepse aq sa të donte do t’i kishim dërguar për shërbim të Madhërisë

së tij. Po ta kishte bërë këtë dhe të na kishte besuar, ne mbase Brindisin nuk do ta kishim djegur, por

vendet që u rebeluan në Pulje nuk do të kishin ngritur krye. Ju, në atë rast do ta kishit patur të vështirë të

mbronit gjënë tuaj dhe jo më të mendonit që të shtinit në dorë shtetin e Madhërisë së tij, i cili është zot i

juaj e si zot duhet ta njhni sepse jeni betuar ... Në qoftë se unë do të thyhesha, Italia do ta ndjente dhe, si

rrjedhim, ai zotërim që ju thoni se është i juaji, do të ishte i turqve ... Por a e mbani mend sa e madhe ishte

fuqia e sulltanit sa nuk është as e juaja as e zotërisë që përkrahni dhe, kur më pat mbetur vetëm qyteti i

Krujës, dhe kur u gjeta aty i rrethuar unë e mbrojta kundër gjithë asaj fuqie dhe e mbajta gjersa turqit, me

dëm e me turp u hoqën, dhe unë në një kohë të shkurtër e me pak veta, shtiva prapë në dorë atë që shumë

armiq e në shumë kohë kishin fituar. Kështu, që aq më tepër duhet shpresuar për përtëritjen e shtetit të

mbretit Ferrant, i cili, edhe vetëm Napolin të ketë, të jeni të sigurtë se do të dalë ngadhnjimtar. Dhe mbase

thoni se me shqiptarët unë nuk do të mundem ta ndihmoj, as ta mbroj, as t’i dëmtoj armiqtë e tij të

fuqishëm, po ju përgjigjem: ka ndryshuar puna, e nëse kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë, dhe

duhet të kini në dijeni se në kohë të tjera paraardhësit tanë kaluan në vendin që ju mbani sot dhe patën

luftime të mëdha me romakët, dhe ne e dimë se më të shumtën e herëve u ndanë me nder se sa me turp.

16 / 19

Unë do të përdor të gjitha fuqitë me cilësitë e mija si edhe me të gjithë miqtë e të besëlidhurit që kam, për

të ndihmuar e për ti dhënë dorë zotit tim, mbretit Ferrant, dhe po munda ta kryej detyrën time për nderin

tim, do të mësoj atë që duhet të mësoj. Kur ju më nxitni t’i tërheq njerëzit e mij e më thoni se po pata

dëshirë të luftoj, ja ku i kam turqit, me të cilët mund të korr lavdi e nder më të madh, po ju përgjigjem:

unë prej jush nuk dua nxitje, as këshilla; njerëzit tanë nuk i kemi dërguar që të kthehen kaq shpejt, por që

t’i shërbejnë mbretit Ferrant gjersa të kenë bashkuar Mbretërinë e tij. Dhe janë nga ata burra që, po të jetë

nevoja, vullnetarisht përballojnë vdekjen në shërbim të Madhërisë së Tij. Por ata që kemi dërguar s’janë

hiç gjë kundrej atyre që kemi vullnetin të dërgojmë, nëse i pëlqen Madhërisë së Tij, e po qe nevoja do të

vij unë personalisht me aq njerëz sa jo vetëm me ndihmën e Zotit besojmë se do ta shtiejmë në dorë

Puljen, por do të mjaftonin ta popullonim të gjithë mbasi është e shpopulluar...’’

KRONISTË DHE HISTORIANË BASHKËKOHËS MBI LUFTËN DHE HEROIZMIN

SHQIPTARËVE GJATË RRETHIMIT TË KRUJËS (1466 - 1467)

,, Skënderbeu me forca dhe me ushtri të fuqishme e sulmonte çdo ditë ushtrinë e Mehmetit dhe nuk i linte

për asnjë çast të qetë... lëshohej pa pushim mbi të si një përrua që zbret nga malet pas shirave të mëdha

dhe përmbytëse dhe që rrëmben çdo gjë me vete, poashtu edhe Skënderbeu lëshohej pa pushim herë nga

njëra anë, herë nga ana tjetër, e trondiste atë kudo, i shkaktonte armikut vrasje, dëme dhe humbje shumë të

mëdha’’.

Marin Barleci ,, Shqiptarë janë nga natyra trima e guximtarë sa nuk ka të jetë më. Në sulm e në qëndresë

janë shumë të rrëmbyeshëm e të patundshëm. Shigjetat e vuajtjeve e të fatkeqësive ata i presin me

kraharorët e tyre të hapur dhe nuk e vënë kurrë përpara armikut mburojën e dobësive e të përuljes’’.

Idriz Bitlisi, historian osman ,,Luftëtari më i dobët i shqiptarëve është nga më trimat e fushës së luftës,

tamam sikur të ishte kalorës i hipur mbi kalin legjendar. Ai nuk ka as kalë, as mjet lufte, por ka në vend të

kuajve shtiza që fluturojnë si vetëtima, ka ushta, maja e të cilave është plot helm si thumbi i grerëzave, ka

edhe një hark prej druri e bashkë me të edhe disa shigjeta, por megjithatë ai është më i fortë se hekuri’’.

Kemal Pasha Zade, historian osman

BASHKËKOHËSIT MBI LUFTIMET E ZHVILLUARA GJATË RRETHIMIT III TË KRUJËS (1467)

[Beteja e Byshekut ] ,,Shqiptarët e ndezën zjarrin e luftës, morën në duart e tyre ushtat, të cilat i ngjanin

gjarpërinjve helmues, dhe qëndruan në grykat e shpellave. Ata luftuan deri kur erdhi koha e mbrëmjes ...

kur lufta pushoi, ata u grumbulluan të gjithë në një vend dhe në mëngjes dolën si një lumë nga lugina dhe

u vërsulën menjëherë mbi ushtrinë e Anadollit’’.

Ibn Kemal, historian osman ,,Sulltani pasi urdhëroi ushtarët që të grabisnin e të plaçkisnin ... la maleve

pjesën më të madhe dhe më luftarake të ushtrisë ... kurse ai, duke qëndruar me pjesën tjetër të ushtrisë,

plaçkiste vise të tëra të vendit’’.

Kritobuli, historian bizantin Mizori të pashembullta të sulltanit, i cili as për siguri, as për dhimbje nuk të

fal dhe nuk ka mëshirë ... Po bën në Shqipëri njëmijë dhunime, vrasje e mizori dhe po djeg e shkatërron

një popull të tërë’’. Nga letra të bashkëkohësve

NGA PËRSHKRIMI I PAPA PAVLIT II (1467) PËR EKSODIN E SHQIPTARËVE DREJT ITALISË

,,Shqiptarët pjesërisht u vranë nga shpata,pjesërisht u skllavëruan. Ato kështjella që për të mirën tonë

frenuan me vendosmëri vërshimin e turqve, u detyruan më në fund të dorëzoheshin. Popullsitë fqinje të

bregdetit Adriatik, të kapura nga tmerri, dridhen gjithë ankth. Kudo frikë, kudo zi, para syve tanë vetëm

vdekje e skllavëri. Një pamje vërtet e trishtueshme ... Është e dhimbshme të shohësh barkat e të ikurve, që

hidhen në brigjet e Italisë, pasi kanë lënë vatrat e tyre. I sheh të shtrirë në breg, me duart ngritur nga

qielli’’.

17 / 19

NGA VENDIMI I SENATIT TË VENEDIKUT I 13 SHKURTIT 1468 PËR SITUATËN NË SHQIPËRI

PAS VDEKJES SË SKËNDERBEUT

,,Vdiq i madhërishmi, i ndjeri Skënderbe. Me vdekjen e tij i gjithë ai vend ka rënë në një ngashërim dhe

tronditje të madhe, prandaj është e nevojshme të merren masat e duhura për sigurimin si të vendeve të të

ndjerit Skënderbeut të lartpërmendur, ashtu dhe të zotërimeve tona, për këtë arsye merret vendim që, sa

më shpejt të jetë e mundur, të niset prej këtej për në atë vend i nderuari zot arkipeshkvi i Durrësit (Pal

Ëngjëlli), i cili qëndroi shumë kohë pranë nesh si përfaqësues në emër të të ndjerit zotit Skënderbe të

lartpërmendur dhe është një person shumë i urtë dhe besnik i bindur ndaj nesh e shtetit tonë.’’

RRETHIMI I SHKODRËS

,,Më 15 maj 1474 arritën ndër këto fusha 7 sanxhakbejlerë me 60 mijë kalorës...më 4 qershor arriti pashai

i Rumelisë me një ushtri të fortë dhe nguli shatoret rrëzë malit përballë qytetit. Më 17 qershor vendosen 2

topa...Më 28 qershor edhe dy topa të tjerë... Nuk kalonte ditë që të mos shtinin 22,23 dhe 25 herë njëri,

gjithsejt 893 të shtëna. Më datë 18 korrik, në orën 24, më trimat e atyre qenëve vijnë rrëzë mureve të këtij

qyteti me një tërbim të jashtëzakonshëm dhe luftojnë gjithë natën... Në orën tre të ditës i thyem me

humbje, me dëme e për faqen e zezë të tyre... Një kërdi e madhe u bë mbi ta, mbetën të vrarë edhe shumë

njerëz me rëndësi... Atë ditë ishin vrarë 7 020 turq... Ata u larguan në heshtje të madhe, më 8 gusht natën,

duke gdhirë 9 gushti.’’ Nga letra e 13 gushtit 1474 e qeveritarit venedikas të Shkodrës, Anton Loredanit

PËRKUJTIMI I FIGURËS SË GJERGJ KASTRIOTIT - SKËNDERBEUT NGA SHQIPTARËT PAS

VDEKJES

,,Pas vdekjes së Skënderbeut, thonë se shqiptarët, të habitur nga trimëria e këtij burri, zunë të shihnin tek

ai diçka që kalonte përtej kufijve njerëzorë dhe të kujtonin princin e dashur me këngë madhështore. Disa

burra të besueshëm më kanë treguar se në valën e luftës, dhe pikërisht atëherë kur çdo gjë shungullonte e

oshëtinte nga armët barbare, grupe vajzash kishin zakon të mblidheshin çdo tetë ditë ndër sheshet, ku

kryqëzoheshin tri rrugë, në qytetet që kish sunduar, dhe të këndonin lavdinë e të ndjerit princ, siç bënin

burrat e lashtë në gostitë e heronjve.’’ Nga Historia e Venedikut e humanistit venedikas

Anton Sabeliko (1436-1506), bashkëkohës i Heroit tonë Kombëtar

MARIN BARLECI DHE VEPRAT E TIJ

Për jetën e M. Barlecit dihet pak. Ai lindi rreth fundit të viteve 50 të shek. XV në Shkodër, qytet me

tradita arsimore për formimin e shkollimin e klerikëve të besimit katolik. Ai i përjetoi ngjarjet dramatike

të vendlindjes së tij, Shkodrës, gjatë viteve 70 të shek. XV. Gjatë rrethimit të I të saj prej turqve, më 1474,

ai ishte i ri dhe ende nuk kishte moshën për të rrëmbyer armët, kurse më 1478, gjatë rrethimit të II të

Shkodrës, ai u rreshtua përkrah luftëtarëve që me heroizëm mbronin qytetin e tyre. Me rënien e Shkodrës

në duart e ushtrive osmane, si shumë bashkëqytetarë, M. Barleci mori rrugën e mërgimit dhe u vendos në

Itali. Këtu ai plotësoi shkollimin e vet, u bë njohës i thellë i letërsisë antike dhe i gjuhës latine dhe u shfaq

si një intelektual humanist nga më të shquarit e kohës. Ai fitoi titullin e lartë ,,Doktor shkencor i diturive

teologjike dhe i së drejtës kanonike’’. Që në fund të shek. XV, Marin Barleci ishte figurë e njohur në jetën

kishtare të Padovës dhe në atë mësimore shkencore të Universitetit të këtij qyteti. Nuk dihet me saktësi

viti i vdekjes së M. Barlecit. Nëpërmjet të dhënave të tërthorta është arritur në përfundim se ai ka vdekur

më 1512 ose më 1513. Vepra e parë e Marin Barlecit është ,,Rethimi i Shkodrës’’ e botuar latinisht më

1504 në Venedik. I mbështetur në shënimet e kujtimet e veta, si dhe të pjesëmarrësve të tjerë në ngjarjet

që rrëfen, libri i kushtohet jetës politike e ushtarake gjatë Rrethimit II të Shkodrës më 1478. Deri në mesin

e shek. XVII kjo vepër njohu 17 ribotime në gjuhë të ndryshme si latinisht (5), italisht (7), frëngjisht (4)

dhe polonisht (1). Vepra që e ngriti figurën e Marin Barlecit në piedestalin e pavdekësisë është ,,Historia e

jetës dhe e bëmave të Skënderbeut’’, e shkruar latinisht dhe e botuar në Romë rreth viteve 1508 - 1510.

Deri në mesin e shek. XVIII kjo vepër voluminoze njohu jo më pak se 21 ribotime në disa gjuhë të

Europës si latinisht (4), gjermanisht (4), italisht (4), portugalisht (2), polonisht (1), spanjisht (1), si dhe,

nëpërmjet të një përkthimi të lirë dhe përshtatjeje edhe në frëngjisht (4) e anglisht (1). Vepra e fundit e M.

Barlecit ,,Shkurtore e jetës së papëve dhe të perandorëve’’ u botua në Venedik, pas vdekjes së tij, më

18 / 19

1555. Veprat e M. Barlecit janë fryt i një pune të gjatë shumëvjeçare. Për hartimin e tyre ai u mbështet në

shënimet e kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve dhe të dëshmitarëve të tjerë në ngjarjet që rrëfen. Ky

material autentik shumë i pasur u ka dhënë veprave të M. Barlecit vlerën e burimeve historike të dorës së

parë e të pazëvendësueshme. Dëshmitë që mblodhi nga burimet e shumta, si historian i mirëfilltë, M.

Barleci i shoshiti, i plotësoi dhe i zgjeroi me literaturën e kohës. Fryma panegjerike, fjalimet që u vihen në

gojë heronjve në veprat e M. Barlecit janë karakteristike për historiografinë humaniste europiane në

përgjithësi dhe përbëjnë anën e dobët të saj. Por vlerat pozitive të veprave të M. Barlecit si burime

historike janë shumë më të mëdha se dobësitë e tyre. Ngjarjet politike e ushtarake të Shqipërisë së shek.

XV, jetën e veprimtarinë e Skënderbeut, rrethimet e Shkodrës etj., M. Barleci i pasqyroi duke ndjekur

parimin kronologjik. Megjithëkëtë, në veprat e tij nuk mungojnë edhe digresionet për të pasqyruar e për të

treguar psikologjinë e botës shpirtërore shqiptare, legjendat e folklorin e tyre, rajonet kryesore të banuara

prej shqiptarëve në Ballkan, veprimtarinë e tyre ekonomike etj. Krahas përshkrimit të portretit fizik e

moral të Heroit tonë Kombëtar te ,,Historia e Skënderbeut’’ M. Barleci ka dhënë edhe një gravurë me

portretin e tij. Padyshim ky portret paraqet karakteristikat e fytyrës së Skënderbeut, sepse vepra u hartua

në bazë të kujtimeve të bashkëluftëtarëve të heroit dhe të pasardhësve të familjes së Kastriotëve.

DHIMITËR FRËNGU (1443 - 1525)

Lindi në qytetin e Drishtit më 1443 dhe u brumos gjatë epopesë legjendare të Skënderbeut. U shkollua si

klerik katolik, profesion që e ushtroi gjatë gjithë jetës së tij. Dh. Frëngu u lidh ngushtë me heroin shqiptar

dhe e shoqëroi atë në udhëtimin që bëri gjatë vitit 1466 - 1467 në Romë e në Napoli. Me pushtimin e

Drishtit prej turqve më 1478, Dh. Frëngu emigroi në Itali. Ai u vendos në rajonin e Venedikut dhe për një

periudhë të gjatë shërbeu si famullitar i nderuar në fshatin Braina, pranë qytetit Trevizo, deri më 1513, kur

për arsye të moshës së shtyrë, ia la detyrën nipit të tij, Pjetër Engjëllit. Dh. Frëngu vdiq më 1525, në

moshën 82 vjeçare. Të vetmen vepër që shkroi, ai ia kushtoi figurës së Skënderbeut ,,Komentar për punët

e turqve dhe të zotit Gjergj Skënderbe, princ i Epirit’’. Kjo vepër e shkruar latinisht mbeti e pabotuar. Pas

vdekjes së tij, i nipi, Pal Engjëlli, e përktheu italisht dhe e botoi atë më 1539. Deri më 1679 vepra e Dh.

Frëngut njohu 18 botime italisht. Në mesin e shek. XVI ajo u përkthye dhe u botua edhe në frëngjisht dhe

në angisht. Në krahasim me ,,Historinë e Skënderbeut’’ të M. Barlecit, vepra e Dh. Frëngut u përhap

shumë në Itali (sidomos në Venedik ku u shtypën të gjitha ribotimet e saj), sepse ishte shumë më e

shkurtër se vepra e parë. Te pinjollët e familjes Engjëlli që ishin vendosur në Itali, ashtu si te shumë

shqiptarë të emigruar, u ruajt ndër breza vetëdija kombëtare, ndjenja e atdhedashurisë dhe dëshira për t’u

kthyer në Shqipëri. Ishin këto motive që nxitën pjesëtarët e kësaj familjeje që kishte një pozitë të

rëndësishme në rrethet intelektuale e kishtare të Venedikut, të interesoheshin gjatë shek. XVI e XVII për

botimin e ribotimin e veprave kushtuar epopesë shqiptare të shek. XV, si dhe vepra të hartuara prej tyre në

formën e gjeneologjive familjare mbi të drejtën e trashëgimisë.

19 / 19

Hooray! Your file is uploaded and ready to be published.

Saved successfully!

Ooh no, something went wrong!