infocom magazine 44
Ekosistemi i StartUp-eve START UPs ERGEST NAKO CEH, MSc in Informatics Security Expert Inovacion - procesi i përkthimit të një ideje në një shërbim ose në një të mirë, e cila në vetvete është me shumë vlerë, dhe për të cilën klientët janë të gatshëm të paguajnë. Gjithashtu, inovacion do të thotë, implementimi i zgjedhjes më të mirë, e cila përmbush kërkesat ose nevojat e një tregu ekzistues. E gjitha kjo arrihet nëpërmjet implementimit të proceseve, produkteve, shërbimeve, teknologjive ose modeleve të biznesit të përmirësuara të cilat janë lehtësisht të disponueshme për tregjet, qeveritë dhe shoqërinë. Prej disa vitesh në Shqipëri ka filluar të dëgjohet dhe trumbetohet me forcë fjala startup, sipërmarrës, inovacion, teknologji, aplikacione, silicon valley, Steve Job, etj… Aksesi në internet na mundëson të shikojmë sesi bota perëndimore po ecën në këtë sektor, ku dëgjojmë çdo orë për daljen e një startup të ri i cili ofron mundësi të mëdha, zgjidh probleme të përditshme, shëron një sëmundje të rrallë ose që ndihmon një shtresë të veçantë të shoqërisë e cila mund të ketë nevoja specifike. Në këtë kuadër, edhe në Shqipëri kemi shumë iniciativa, të cilat kanë në thelb sipërmarrjen e të rinjve. Këto iniciativa i kanë bërë këta të fundit të ndërgjegjshëm që në shekullin në të cilin po jetojmë është shumë e vështirë gjetja e një vendi pune në momentin kur dalin nga universiteti, dhe është pikërisht kjo arsyeja se pse nuk mund të vazhdojnë më të presin gjetjen e një vendi pune por, duhet të jenë vetë ata në gjendje që të krijojnë punë për veten dhe pse jo edhe për shumë persona të tjerë. Por a e kuptojmë të gjithë se çfarë është Startup-i, shpirti i sipërmarrësit dhe më e rëndësishme rrugëtimi i tij. Po le të mundohemi të mësojmë pak më shumë rreth kësaj fushe. Po e nis aty ku është fillesa e gjithçkaje, me përkufizimin e termit startup dhe inovacion. Këto dy terma jo detyrimisht janë të lidhura me njëra-tjetrën. Mes shumë përkufizimeve të ndryshme që ekzistojnë për termin startup, do të citoj vetëm njërin prej tyre, që personalisht, mendoj se është më i përshtatshmi: Startup - është një kompani e konceptuar të rritet në mënyrë të shpejtë! (Paul Graham / Bashkëthemelues i Y Combinator). Dhe kjo është ajo çka duhet të diferencojë një startup nga një biznes tradicional. Në shumë raste ne e bashkëngjitim këtë term me çdo biznes të themeluar, qoftë ai një dyqan i thjeshtë në një lagje në periferi ose një faqe interneti e cila fiton disa lekë nëpërmjet reklamave. Prandaj, në shumë raste, shikojmë biznese të ndryshme, të cilat e quajnë veten startup. Por me maturimin e ekosistemit dhe me më shumë persona të cilët i bashkohen këtij sektori, shpresoj që edhe gjërat të bëhen më të qarta. Rrugëtimi i një sipërmarrësi i cili ka një startup ose një biznes tradicional nuk është i lehtë. Në shumë raste shohim të rinj të cilët mendojnë se pas një fundjave argëtimi me miq dhe duke prezantuar një të diel një ide përpara një jurie, ditën e hënë do të zgjohen të pasur dhe me një produkt që do pushtojë të gjithë botën. Më vjen keq t’i zhgënjej, por kjo s’ka për të ndodhur, as në Tiranë dhe as në Amerikë. Janë puna e vazhdueshme, netë të tëra pa gjumë, sakrifica dhe dështime të vazhdueshme ato të cilat do bëjnë këdo një sipërmarrës të suksesshëm. infocom magazine 45