28
Hajdar Muneka Z. Hajdar Muneka ka qenë ambasadori i Shqipërisë në Kinë gjatë viteve 1997-2000. Ardhja e tij e parë në Kinë ishte në vitin 1973, si anëtar i një grupi studentësh shqiptarë që ndoqën studimet në Institutin e Gjuhës të Pekinit. Duke folur lidhur me këtë përvojë për Radion e Jashtme të Kinës, z. Muneka thotë: “E konsideroj veten me fat që kam studiuar katër vjet aty, por dhe që kam kaluar katër vjet të jetës sime në Kinë, që është një vend i bekuar.” Por fati nuk e ka shoqëruar gjithmonë: “Në momentin kur unë mbarova studimet në Kinë, edhe marrëdhëniet midis dy vendeve tona pësuan një krisje, e cila vazhdoi për njëfarë kohe. Imagjinoni, ne ishim të rinj dhe po mësonim gjuhën kineze, me objektivin që do të jepnim një kontribut për forcimin e marrëdhënieve të miqësisë midis dy vendeve tona. Papritur kjo ëndërr jona u duk sikur u pre në mes.” Megjithatë, “sinqerisht ju them se asnjëherë nuk i shkëputa kontaktet me Kinën dhe kinezët” thotë z. Muneka. “Unë personalisht kisha afeksion të madh dhe cila ishte rruga e vetme që mund t’i ruanim këto lidhje. Duke qenë se unë punoja në Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH), aty ne kishim akses të abonoheshim në shtypin kinez. Vetëm për të mbajtur kontaktet me Kinën, në atë kohë u abonova në gazetën ‘Renminribao’, që jepte një panoramë të përgjithshme të jetës në Kinë. Për të mësuar diçka më shumë për jetën në Pekin, kuriozitetet dhe çfarë ndodhte në këtë qytet, jemi abonuar për 10 vjet me radhë në gazetën ‘Beijing Uanbao’”. Këmbëngulja 10-vjeçare e z. Muneka nuk shkoi kot. Në fillim të viteve ‘90, ai pati rastin të punonte në Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke u ngarkuar shumë shpejt me detyrën e sekretarit të parë të Ambasadës së Shqipërisë në Kinë. Duke kujtuar ndjenjat e atëhershme, z. Muneka thotë ende me emocion: “Mund të them se kjo ka qenë një nga ngjarjet më të shënuara dhe më të këndshme për mua, sepse po rikthehesha në vendin ku kisha kaluar ëndrrat e rinisë sime, me statusin e diplomatit. Kjo më jepte mundësi të jepja një kontribut direkt në forcimin e marrëdhënieve tona.” Në vitin 1997 z. Hajdar Muneka u emërua ambasador i Shqipërisë në Kinë. “Ky ishte një nder shumë i madh, por natyrisht dhe një obligim shumë i madh, sepse të jesh ambasador ke detyra të rëndësishme dhe përgjegjësi të mëdha. Unë asnjëherë nuk e mora me frikë apo emocion këtë, sepse kisha përkrahjen jo vetëm të qeverisë sime, por dhe qeverisë dhe popullit kinez. Të emërohesh ambasador në një vend ka dy kushte kryesore. I pari është që ta njohësh atë vend dhe i dyti është ta duash atë vend.” Prova erdhi dy vjet pas ngarkimit me detyrën e ambasadorit. Në vitin 1999, Maqedonia vendosi marrëdhënie diplomatike me Tajvanin. Lidhur me këtë, z. Muneka i tha Radios së Jashtme të Kinës: “Në atë kohë frika ishte se mos kjo lëvizje e Maqedonisë do të luante efektin e dominosë, por edhe kjo ishte një frikë pa asnjë bazë, sepse Shqipëria 29