Libër mësuesi për tekstin “Kimia 7-8-9” 12
Libër mësuesi për tekstin “Kimia 7-8-9” DISA KONSIDERATA LIDHUR me MËSIMDHËNIEN Studimet kanë treguar se gjatë një ore mësimi, nxënësit përvetësojnë rreth 10 % të asaj që lexojnë, 20 % të asaj që dëgjojnë, 30 % të asaj që shikojnë, 50 % të asaj që dëgjojnë dhe shikojnë, 70 % të asaj që dëgjojnë, shikojnë dhe flasin dhe shkalla më e lartë e përfitimit, deri në 90 %, kur nxënësit jo vetëm dëgjojnë, shikojnë dhe flasin, por edhe veprojnë, pra, kryejnë një veprimtari. Kjo “piramidë” ndryshe do të quhej edhe kredo e të mësuarit aktiv, që e shprehur më thjesht dhe më kuptueshëm, do të ishte: • Atë që e dëgjoj…. e harroj. • Atë që e dëgjoj dhe e shikoj… e mbaj pak mend. • Atë që e dëgjoj, e shikoj dhe për të cilën bëj pyetje ose diskutoj,… filloj ta kuptoj. • Atë që e dëgjoj, e shikoj, e diskutoj dhe e bëj vetë: për atë filloj të grumbulloj njohuri dhe aftësi. • Atë që ia mësoj një tjetri, e zotëroj. • Ajo që praktikoj më ndryshon. Cilët do të ishin disa nga faktorët që mund të ndihmojnë në zgjedhjen e metodave efikase të mësimdhënies? Së pari: statusi dhe përbërja e klasës; Së dyti: objektivat e vendosura për orën e mësimit; Së treti: veçoritë e rrugës që ndjekim për realizimin e objektivave. Metodat dhe teknikat mësimdhënëse nuk duhen parë si veprimtari të njëanshme dhe qëllim në vetvete. Sikurse edhe procesi mësimor, ato karakterizohen nga një bashkëveprim i dyanshëm i mësuesit dhe nxënësve të tij, e në të njëjtën kohë edhe si një bashkëveprim i nxënësve me njëri-tjetrin. Metodat dhe teknikat e mësimdhënies janë procedura standarde që përdorin mësuesit në bashkëveprim me nxënësit për paraqitjen dhe zhvillimin e materialeve dhe veprimtarive mësimore. Qëllimi final i tyre është arritja e objektivave mësimore. Didaktët i ndajnë metodat mësimdhënëse në dy grupe të mëdha: I. Metoda që kanë në qendër veprimtarinë e mësuesit, pra që synojnë dhënien e informacionit dhe njohurive për të siguruar zhvillimin e të menduarit. Në këtë grup përfshihen metodat tradicionale të mësimdhënies, si: shpjegimi, leksioni, demonstrimi etj. II. Metoda që kanë në qendër veprimtarinë e nxënësit, pra që synojnë aktivizimin e nxënësve me qëllim nxënien efektive. Këto metoda ndahen në dy nëngrupe: • Metodat dhe teknikat e punës në grup, ku nxënësit nëpërmjet bashkëveprimit me njeri-tjetrin, formësojnë njohuritë si puna në grupe, diskutimi, debati etj. • Metodat dhe teknikat e hulumtimit, të cilat u mundësojnë nxënësve vënien 13